Fytyrat e protestës kundër ngacmimeve seksuale

Një video e shkurtër, e shpërndarë nga mediat kosovare më 15 maj, e cila thuhet se shfaq një sulm seksual ndaj një vajze të mitur nga tre fëmijë në oborrin e një shkolle në kryeqytet, e tmerroi Kosovën.

Ngjarja, e cila raportohet të ketë ndodhur në fundin e prillit, në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Faik Konica”, në Prishtinë, nxiti një furtunë reagimesh, nga udhëheqësit shtetërorë e deri te qytetarët e rëndomtë.

"Traumë, jo lojë" ishte motoja e protestës në Prishtinë

Më i madhi nga reagimet, megjithatë, erdhi në formën e një marshi protestues, me moton “Traumë, jo lojë”, në kryeqendrën e Kosovës.

Nxënës nga tri gjimnaze të Prishtinës – “Xhevdet Doda”, “Sami Frashëri” dhe “Ahmet Gashi” – pushtuan sheshet e qytetit, të mërkurën e 19 majit, për të protestuar kundër ngacmimeve seksuale.

Gjimnazistët marshojnë kundër ngacmimeve seksuale

Qindra gjimnazistë, por edhe të tjerë që iu bashkuan atyre, përfshirë ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, brohoritën “Mos hesht trego”, “Mos ma prish fëmijërinë” e thirrje të tjera, për të kërkuar rritje të vetëdijesimit në raport më fenomenin e ngacmimeve seksuale.

"Nuk është i pari, ka edhe shumë të tjera që janë të fshehura, dhe ka shumë të tjera që janë të paraportuara”, është shprehur Hana Lokaj, nxënëse e gjimnazit “Xhevdet Doda”, para kamerës së Radios Evropa e Lirë, gjatë marshit.

"Ku duhet të shkojnë vajzat e vogla, kur shkollat s'janë më të sigurta", pyet një protestuese

“Për t’u shqetësuar është fakti se ngjarja ka ndodhur më 24 prill, dhe tek tash, pothuajse mbi 16 ditë e më shumë, kemi marrë vesh ne”, ka thënë Lokaj, duke iu referuar rastit që tronditi Kosovën.

“Kjo është tejet shqetësuese, dhe ne mendojmë se duhet të futet, patjetër, në mënyrë imediate, edukimi seksual nëpër shkolla, për t’u vetëdijesuar dhe për t’u edukuar fëmijët që mësojnë në shkolla fillore dhe të mesme”, ka shtuar gjimnazistja e Prishtinës.

Të rinjtë reagojnë kundër dhunës seksuale

Pas raportimit për rastin, në mediat kosovare, drejtoria e shkollës “Faik Konica” ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha masat, si brenda edhe jashtë shkollës, duke njoftuar prindërit e të dy palëve, Policinë e komunitetit, Qendrën për Punë Sociale dhe organe të tjera kompetente, dhe të gjithë personat që kanë mundur të preken në mënyrë indirekte nga rasti.

Ndërkaq, Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve i ka bërë thirrje Qendrës për Punë Sociale që me prioritet të ofrojë shërbime për mbrojtjen dhe rehabilitimin për fëmijën, si dhe ka kërkuar të ndërmerren të gjitha shërbimet e nevojshme për fëmijët e tjerë.

Në protestë u kërkua futja e lëndës së edukatës seksuale në shkolla

Mimoza Shahini, psikiatre për fëmijë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë rasti i fundit ka qenë vetëm një zile për të treguar një fenomen, i cili është jo i rrallë në mjediset e shkollave.

Madje, sipas saj, më shqetësuese është fakti se ka disa raste të abuzimit seksual të të njëjtës gjini.

Protestuesit kërkuan rritje të vetëdijesimit në raport më fenomenin e ngacmimeve seksuale

Vetëm gjatë këtij viti, në Policinë e Kosovës, për veprën penale “Ngacmimi seksual” janë raportuar gjithsej 21 raste, pa dallim moshe.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri vjet.