Kosova vë në dilemë datën e vazhdimit të dialogut me Serbinë

Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim mes Kosovës e Serbisë më 11 maj, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Një vazhdim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në këtë datë, e ka paralajmëruar të hënën Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Ai e bëri njoftimin gjatë një konference për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili po qëndron në Bruksel.

Por, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu thotë se kjo mund të ketë qenë ideja apo edhe dakordimi me Beogradin, por jo edhe me Prishtinën.

Ai në postimin e tij e përmend faktin se kryeministri Kurti udhëton nesër (27 prill) në Bruksel për takime bilaterale me krerët e institucioneve të BE-së dhe me kreun e qeverisë belge.

“Datat, vendet dhe agjendat e takimeve kanë kuptim dhe zbatim kur merremi vesh, jo kur imponohen njëanshëm”, thotë Kryeziu.

SHIKONI EDHE: Borrell pret marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

Gjatë dhjetë vjetëve të dialogut Kosovë-Serbi, besohet se janë arritur mbi 30 marrëveshje, ndonëse autoritetet në Prishtinë dhe në Beogradi, flasin me shifra të ndryshme për këto marrëveshje.

Në mesin e marrëveshjeve të arritura është edhe ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për formimin e së cilës, tashmë ekziston kontesti ndërmjet vetë palëve që e kanë arritur atë.

Bashkimi Evropian synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse në të cilën do të zgjidheshin të gjitha çështjet mes dy vendeve.

Pas një pezullimi gati 2 vjeçar, bisedimet ndërmjet dy vendeve gjatë vitit 2020 patën rifilluar, por ato sërish u ndërprenë për shkak të zgjedhjeve në Kosovë që u mbajtën më 14 shkurt.