Vazhdon dëbimi i diplomatëve mes Rusisë dhe vendeve evropiane

Ambasada e Rusisë në Itali.

Tensionet diplomatike mes Rusisë dhe vendeve evropiane po vazhdojnë duke e shndërruar në përditshmëri dëbimin e diplomatëve.

Rusia njoftoi se ka dëbuar një diplomat italian si shenjë hakmarrjeje ndaj dëbimit të dy diplomatëve rusë në muajin mars.

"Ambasadori italian në Moskë, Pasquale Terracniano, është ftuar në Ministrinë e Jashtme të Rusisë ku iu komunikua njoftimi se ndihmësi i atasheut të mbrojtjes dhe atasheut detar në ambasadën në Moskë shpallen persona non grata (të padëshiruar v.j) si përgjigje ndaj veprimeve jomiqësore të autoriteteve italiane kundër Ambasadës Ruse në Romë”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Diplomatët italianë janë urdhëruar që të largohen nga Rusia brenda 24 orësh.

SHIKONI EDHE: Italia dëbon dy zyrtarë rusë

Muajin e kaluar, Italia dëboi dy diplomatë rusë pasi policia tha se ata kishin kapur një kapiten të marinës italiane duke i dorëzuar dokumente sekrete një zyrtari ushtarak rus në këmbim të një pagese.

Ministria e Jashtme italiane e quajti veprimin e Rusisë "të pabazuar dhe të padrejtë".

"Ne e konsiderojmë vendimin të pabazuar dhe të padrejtë sepse është në shenjë hakmarrje ndaj një mase legjitime të marrë nga autoritetet italiane në mbrojtje të sigurisë së tyre", tha ministria e Jashtme italiane në përgjigje të masës së Moskës.

Ndërkohë më 26 prill, Rumania njoftoi se po dëbon një diplomat rus, vendi i fundit evropian që e merr një masë të tillë pas mosmarrëveshjeve diplomatike midis Moskës dhe Pragës mbi rolin e pretenduar të Rusisë në një shpërthim vdekjeprurës në 2014 në një depo çeke armësh.

“Aleksei Grichayev zëvendës-atashe ushtarak në Ambasadën Ruse në Bukuresht shpallet persona non grata për shkak të veprimtarive në kundërshtim me Konventën e Vjenës mbi marrëdhëniet diplomatike", tha ministria e Jashtme e Rumanisë.

Praga akuzon shërbimet sekrete ruse se qëndrojnë pas një shpërthimi që vrau dy persona në një depo të armëve në tetor 2014.

Moska ka mohuar çdo përfshirje në shpërthimin e vitit 2014.

SHIKONI EDHE: Çka është Njësia 29155 e GRU-së?

Republika Çeke ka dëbuar 18 diplomatë rusë, ndërsa Moska u hakmor duke dëbuar 20 punonjës të Ambasadës Çeke.

Shtatë vende të tjera të ish-Paktit të Varshavës në Evropën Qendrore dhe Lindore, të gjitha anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, kanë dëbuar diplomatët rusë javët e fundit, duke nxitur masa reciproke nga Moska.