Raul Castro jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Komuniste të Kubës

Raul Castro.

Raul Castro ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Komuniste të Kubës, çka nënkupton se ky shtet nuk do të ketë dikë nga familja Castro në mesin e liderëve kryesorë, për herë të parë prej kur vëllai i tij Fidel ka fituar pushtetin në Revolucionin e vitit 1959.

Raul Castro, 89-vjeçar, e ka bërë këtë njoftim më 16 prill, teksa ka mbajtur një fjalim në hapje të Kongresit të Tetë të partisë në pushtet në Kubë.

Ai ka thënë se do të pensionohet pasi “ka përmbushur misionin e tij”.

“Për aq sa të jetoj, unë do të jem i gatshëm që të mbroj shtetin, revolucionin dhe socializmin me më shumë forcë se kurrë më parë”, ka thënë ai përmes një adresimi televiziv.

Castro nuk ka përkrahur ndonjë pasardhës të tij, mirëpo në të kaluarën ka treguar mbështetje për Miguel Diaz-Canel, i cili është zgjedhur president i Kubës, pas Castros më 2018.

Fidel Castro ka drejtuar Revolucionin e vitit 1959, duke larguar nga pushteti Fulgencio Batistan.

Ai është bërë kryetar i Partisë Komuniste të Kubës më 1965, dhe ka udhëhequr shtetin derisa ia ka dorëzuar presidencën Raulit më 2008.

Raul Castro njihet për arritje të marrëveshjes me ish-presidentin amerikan Barack Obama më 2014, çka ka rezultuar me forcim të lidhjeve në mes të dy vendeve, ndonëse një pjesë e mirë e marrëveshjes është përmbysur më vonë nga ish-presidenti tjetër amerikan Donald Trump.

Në fjalimin e 16 prillit, Castro ka thënë se Kuba vazhdon të ketë bisedime “të respektueshme” me SHBA-në, mirëpo nuk do të heqë dorë kurrë nga “parimi i revolucionit dhe socializmit”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki ka thënë në të njëjtën ditë se SHBA-ja nuk është duke planifikuar ndryshime në politikat kundrejt Kubës.

“Mbështetja për demokraci dhe të drejta të njeriut do të jenë në qendër të përpjekjeve tona”, ka thënë mes tjerash ajo.