Biden: Tërheqja nga Afganistani fillon në maj, përfundon në shtator

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë tërheqjen e tyre të fundit nga Afganistani më 1 maj dhe i gjithë procesi do të përmbyllet përpara 11 shtatorit.

"Është koha për t'i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës", tha Biden.

"Ne nuk do të nxitojmë. Ne do ta bëjmë atë (tërheqjen) me përgjegjësi, në mënyrë të sigurt dhe do ta bëjmë atë në një koordinim të plotë me aleatët dhe partnerët tanë, të cilët aktualisht kanë më shumë trupa sesa ne në Afganistan", shtoi presidenti Biden.

Biden tha se Shtetet e Bashkuara duhet të fokusohen në kërcënimet terroriste që janë paraqitur gjetkë dhe gjithashtu për t’u përballur me Kinën.

Më 2001, forcat e udhëhequra nga SHBA-ja kanë pushtuar Afganistanin dhe kanë rrëzuar regjimin e talibanëve, për shkak të strehimit të Al-Kaidës, grupit ekstremist, i cili ka qenë mbrapa sulmeve terroriste të 11 shtatorit në tokën amerikane.

SHIKONI EDHE: Blinken: Është koha të tërhiqemi nga Afganistani

Aktualisht në Afganistan janë rreth 2,500 trupa amerikane. Ato mbështeten nga rreth 7,000 trupa të NATO-s.

Lufta u ka marrë jetën 2,400 ushtarakëve amerikanë dhe ka kushtuar rreth 2 trilionë dollarë. Prania amerikane në Afganistan arriti kulmin në vitin 2011 me më shumë se 100,000 trupa.

Në një fjalim televiziv, Biden tha se Shtetet e Bashkuara kishin "përmbushur" misionin e tyre të shkatërrimit të grupeve ndërkombëtare xhihadiste pas sulmeve të 11 shtatorit dhe se me kalimin e çdo viti arsyeja e qëndrimit ishte "gjithnjë e më e paqartë".

Vendimi i Bidenit nuk është i papritur. Lufta është jashtëzakonisht jopopullore në mesin e votuesve amerikanë dhe paraardhësi i Bideni, Donald Trump ishte zotuar të tërhiqej në fillim të majit.

Presidenti afgan, Ashraf Ghani, tha të mërkurën pas një telefonate me Bidenin se forcat e tij janë "plotësisht të afta" për të kontrolluar vendin.

Edhe aleatët e NATO-s ranë dakord të mërkurën për të filluar tërheqjen e forcave të tyre nga Afganistani pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të tërhiqnin trupat deri në shtator, thuhet në një deklaratë të aleancës.

"Kjo tërheqje do të jetë e koordinuar", shton deklarata.

Në Bruksel për bisedime me aleatët e NATO-s ka qëndruar të mërkurën Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili tha se Uashingtoni do të punojë për së afërmi me aleatët e NATO-s për një tërheqje të koordinuar nga Afganistani.

SHIKONI EDHE: Talibanët kërcënojnë me sulme nëse trupat e huaja nuk largohen me kohë nga Afganistani

Marrëveshja me talibanët për tërheqjen e trupave amerikane ishte arritur nga ana e administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Marrëveshja parashihte tërheqjen e plotë deri më 1 maj. Talibanët ishin zotuar se nuk do të lejojnë grupe terroriste në territorin afgan.

Presidenti Biden paralajmëroi talibanët se ai "do t'i mbante ata përgjegjës” në rast se nuk angazhohen për të mos lejuar që asnjë terrorist të kërcënojë SHBA-në ose aleatët e saj nga toka afgane.

Biden gjithashtu nxiti fuqitë rajonale, duke përfshirë Pakistanin, Indinë, Kinën, Rusinë dhe Turqinë, të angazhohen për të mbështetur Afganistanin.

Grupi militant më 14 prill përsëriti thirrjen e tij për tërheqjen e të gjitha forcave të huaja deri në datën e përcaktuar në marrëveshjen me SHBA-në të nënshkruar në shkurt të vitit 2020.