Rebelët huthi të Jemenit pretenduan se kanë nisur sulme me dronë kundër objekteve të energjisë saudite.
Zëdhënësi i rebelëve, Yahya Saree, tha në një deklaratë për televizionin Al-Masirah se sulmet u zhvilluan në shenjë hakmarrjeje për fushatën gjashtë-vjeçare ushtarake të udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen.
Arabia Saudite nuk e ka konfirmuar informacionin.
Pretendimi i fundit i rebelëve vjen një ditë pasi të paktën 70 luftëtarë pro-qeveritarë dhe huthi u vranë në luftime të ashpra për qytetin verior strategjik të Jemenit, Marib.
Në luftën civile në Jemen përballen rebelët e mbështetur nga Irani, kundër një qeverie të njohur ndërkombëtarisht të mbështetur nga një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite.
Nga konflikti, janë vrarë dhjetëra mijëra njerëz si dhe janë zhvendosur miliona të tjerë, sipas organizatave ndërkombëtare.
Your browser doesn’t support HTML5
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e ka quajtur krizën më të keqe humanitare në botë.
Grupi i lidhur me Iranin edhe në të kaluarën ka shënjestruar objektivat saudite.
Më 22 mars, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka "dënuar me forcë" sulmet e fundit kundër territorit saudit nga "grupet e lidhur me Iranin".
Blinken gjithashtu përsëriti angazhimin e SHBA-së për të mbështetur mbrojtjen e vendit aleat, Arabisë Saudite.