Blinken Kurtit: Marrëveshja me Serbinë, thelbësore për Kosovën

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken, ka thënë se “sigurimi i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë është thelbësore për Kosovën që të arrijë potencialin e saj të plotë dhe të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE”.

Në një letër urimi dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për zgjedhjen e tij në këtë pozitë, Blinken ka shkruar se “Shtetet e Bashkuara e kanë mirëpritur formimin e qeverisë së re” dhe se presin të punojnë ngushtë për të siguruar, siç ka thënë ai, që Kosova sovrane, e pavarur, shumë-etnike dhe demokratike të zë vendin e saj si partner i barabartë në familjen euro-atlantike.

“Sekretari Blinken i ka mirëpritur zotimet e kryeministrit Kurti për luftimin e korrupsionit, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe rikuperimin nga pandemia COVID-19, si edhe përpjekjet e tij për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës”, thuhet në letrën e Sekretarit Blinken, për të cilën ka njoftuar zyra e kryeministrit Kurti.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 shkurt të këtij viti.

Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 22 mars dhe në po të njëjtën ditë u votua qeveria e re e drejtuar nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.