Shtohen thirrjet për qetësim të situatës në Irlandën Veriore

Pamje nga protestat në Belfast një natë më parë.

Qeveria e Irlandës Veriore, me bazë në Belfast, ka organizuar një takim urgjent, pas natës së katërt të trazirave dhe dhunës lidhur me rregullat për tregti dhe tensionet në rritje brenda qeverisë pas Brexitit.

Ministrja e parë e Irlandës Arlene Foster, nga Partia pro-Britanike e Unionit Demokrat, dhe zëvendësministri i parë nga partia e nacionalistëve irlandezë Sinn Fein, kanë dënuar sulmet.

Pjesa më e madhe e konfliktit është zhvilluar në Belfast, ku është parë se si një autobusit i është vënë zjarri dhe si objektet janë hedhur drejt policisë në natën mes 7 dhe 8 prillit, ndërkohë që liderët e Irlandës Veriore kanë bërë thirrje për qetësi.

Irlanda Veriore është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar dhe drejtohet nga një sistem delikat i ndarjes së pushtetit në mes të partive politike protestante dhe atyre katolike.

Disa banorë të këtij territori e konsiderojnë veten britanikë, të tjerët irlandezë.

Rregullat e reja tregtare dhe ndryshimet tjera që janë jetësuar pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, kanë thelluar ndasitë historike.

Më 7 prill në Belfast, turmat, që janë mbledhur në të dyja anët e “murit të paqes”, i cili ndan Rrugën Shankill nga një rajon nacionalist irlandez, kanë kryer ato që policia i ka konsideruar “krime serioze” kundër policisë dhe njëri-tjetrit.

Të paktën 55 zyrtarë policorë është thënë të jenë plagosur në protesta.

Kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë më 7 prill se është “tejet i shqetësuar nga skenat e dhunës” dhe ka bërë thirrje për “dialog”.

Homologu i tij në Irlandë, Michael Martin, po ashtu ka bërë thirrje për qetësim të situatës në vendin fqinj Irlandën Veriore dhe ka thënë se “rrugë e vetme përpara është përmes qëllime paqësore dhe demokratike”.

Ai u ka bërë thirrje “të dyja qeverive dhe liderëve të të gjitha palëve që të punojnë së bashku”.