Vjosa Osmani pranon pozitën e presidentes

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Vjosa Osmani ka pranuar të martën edhe zyrtarisht detyrën e presidentes së Kosovës.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, Osmani ka pranuar detyrën pa ceremoni të inaugurimit.

Kuvendi i Kosovës ka votuar të dielën me 71 vota në të mirë të saj, për zgjedhjen në këtë pozitë.

Pas zgjedhjes, ajo ka bërë betimin para deputetëve.

SHIKONI EDHE: Kush është Vjosa Osmani?

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova ka qenë me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi pati dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Osmani, ish-zyrtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ka garuar në listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje dhe ka marrë më së shumti vota, përkatësisht, mbi 300 mijë.