Iniciohet ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme

Fotografi nga arkivi.

Në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, të premten, në ora 15:00 do të diskutohet për futjen në seancë plenare të ndryshimit të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Edhe gjatë vitit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje, që atëherë ishte në opozitë, kishte tentuar që të ndryshonte këtë ligj, por nuk kishte pasur përkrahjen edhe të partive të tjera. Atëbotë, kjo parti kërkonte që diasporës t'i mundësohej votimi në ambasada që Kosova ka në shtete të ndryshme të botës.

SHIKONI EDHE: Pse diaspora e Kosovës nuk voton në ambasada?

Sipas ligjeve aktuale, pjesëtarët e diasporës së Kosovës, mund të votojnë përmes postës, proces të cilit i paraprin faza e aplikimit dhe të verifikimit të të drejtës së votimit.

Inicimi i ndryshimit të këtij ligji vjen në ditën kur pritet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një seance plenare të mbajtur të premten, paralajmëroi se vendi do të shkojë në zgjedhje nëse nuk zgjidhet presidenti i ri.

LVV-ja tashmë ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës për presidentin, që pritet të mbahet pasditen e së premtes. Kandidatë për president janë Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta.