Katërmbëdhjetë viktima dhe 923 raste të reja me koronavirus u raportuan të mërkurën në Kosovë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tha se shifra e rasteve të reja ditore është më e larta për këtë vit.
Sipas IKSHPK-së, rastet e reja pozitive rezultuan pas testimit të 3,470 mostrave, ndërsa shumica e tyre janë në Prishtinë: 273.
IKSHPK po ashtu njoftoi se katër raste të vdekjes u regjistruan në Prishtinë, katër në Prizren dhe nga një rast në Ferizaj, Fushë Kosovë, Lipjan, Mitrovicë, Pejë dhe Vushtrri.
Në 24 orët e fundit, 771 pacientë janë shëruar nga koronavirusi.
Me këto shifra, numri i përgjithshëm i rasteve pozitive në Kosovë arrin në 90,430, i viktimave në 1,872 dhe i të shëruarve në 74,754.
Aktualisht, raste aktive me koronavirus në Kosovë janë 13,804.
SHIKONI EDHE: Qytetarët e ‘relaksuar’, spitalet e mbushura plot