Roma urdhëroi dëbimin e dy zyrtarëve rusë, nën dyshimet për spiunim.
Policia italiane tha më herët se ka arrestuar një kapiten të Marinës italiane, së bashku me një zyrtar ushtarak rus, në lidhje me rastin e spiunimit.
Ministria e Jashtme e Italisë njoftoi më vonë se ka thirrur në bisedë informative ambasadorin rus, Sergei Razov.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, tha se ka informuar ambasadorin për “dëbimin e menjëhershëm të dy zyrtarëve rusë, të përfshirë në këtë incident jashtëzakonisht të rëndë".
Marrëdhëniet midis Rusisë dhe vendeve anëtare të NATO-s janë tensionuar nga disa skandale të spiunimit në vitet e fundit.
Ambasada e Rusisë në Romë fillimisht tha se një punonjës i zyrës së atasheut të saj ushtarak është arrestuar dhe se “detajet e rastit po sqarohen”.
Reuters më vonë citoi zyrën e presidentit rus, Vladimir Putin, të ketë thënë se shpreson se lidhjet me Italinë do të mbeten konstruktive dhe pozitive, pavarësisht rastit.
Gazeta italiane Corriere della Sera raportoi se zyrtari i ndaluar rus, i cili ka punuar në Ambasadën ruse, është urdhëruar të largohet së bashku me një epror.
Gazeta po ashtu tha se kapiteni italian, i cili është arrestuar duke i dorëzuar dokumente sekrete zyrtarit rus, ka poseduar jo vetëm dosje italiane, por edhe “dokumente shumë sekrete të NATO-s”, duke vënë kështu në rrezik jo vetëm sigurinë e Italisë, por edhe të vendeve të tjera.
Policia tha se oficeri italian është dërguar në paraburgim.
Javën e kaluar, edhe Bullgaria ka dëbuar dy diplomatë rusë për, siç ka thënë, veprimtari “të papajtueshme” me statusin e tyre diplomatik.
SHIKONI EDHE: Një oficer italian kapet duke i shitur sekrete Rusisë