Një oficer italian kapet duke i shitur sekrete Rusisë

Policia italiane. Foto nga arkivi.

Një oficer i marinës italiane është arrestuar gjatë aktit të dorëzimit të dokumenteve sekrete një zyrtari ushtarak rus, njoftoi policia italiane. Shtetasi italian po i shiste këto dokumente.

Policia ushtarake e zhvilloi aksionin "gjatë një takimi të fshehtë midis këtyre dy personave, duke i kapur menjëherë pas transferimit të një dokumenti nga oficeri italian në këmbim të një shume parash", thuhet në deklaratën e policisë.

Policia ka ndaluar të dy personat, por vetëm shtetasi italian është arrestuar nën dyshimin e krimeve të rënda, përkatësisht të spiunimit dhe cenimit të sigurisë shtetërore.

Ministria e Jashtme e Italisë ka thirrur në bisedë ambasadorin rus në Itali, Sergei Razov. Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio e quajti ngjarjen një "incident shumë të rëndë".

Ai tha se kishte protestuar tek ambasadori rus dhe e informoi atë për "dëbimin e menjëhershëm të dy zyrtarëve rusë të përfshirë në këtë incident".

Agjencia Reuters ka cituar një deklaratë nga zyra e presidentit rus, Vladimir Putin, në të cilën thuhej se Moska shpreson që raportet me Italinë do të mbesin konstruktive pavarësisht kësaj çështje.

Gazeta italiane "Corriere della Sera" raporton se oficeri italian mund të ketë dorëzuar sekrete të NATO-s, bazuar në dokumentet e konfiskuara në banesën e tij nga ana e policisë.

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe vendeve anëtare të NATO-s janë përballur me një numër skandalesh spiunimi gjatë viteve të fundit.

Javën e kaluar, Bullgaria dëboi dy diplomatë rusë për kryerjen e të, siç u tha, veprimtarive "të papajtueshme" me statusin e tyre diplomatik.

Autoritetet bullgare shkatërruan një grup spiunimi që i dërgonte Rusisë sekrete ushtarake.