LDK-ja do të marrë pjesë në votimin për presidentin

Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë vendim që të marrë pjesë në zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Kështu kumtoi kreu i partisë, Lumir Abdixhiku pas takimit me deputetët e partisë së tij.

“LDK-ja nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidentit të vendit, që LDK si gjithherë do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues e të marrë pjesë në votimin e presidentit të vendit”, tha ai.

Abdixhiku tha se ky është vendimi i Kryesisë së LDK-së të votuar me shumicë absolute, duke shtuar se ai pret që të gjithë 15 deputetët e partisë të tij, të respektojnë këtë vendim.

“Vendimi i Kryesisë së LDK-së determinon edhe fatin tonë për një periudhë 5-vjeçare”, shtoi ai.

Kandidate për postin e presidentes është Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi bashkë më listën për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke fituar mbi 300 mijë vota.

Abdixhiku tha se gjatë takimeve që ka zhvilluar me Osmanin ka biseduar për temën e dialogut, atë të shtetësisë së Kosovës dhe ka kërkuar garanci që të ruhet rendi kushtetues.

"Mbi të gjitha, kemi diskutuar për pozitën apolitike e apartiake të znj. Osmani si presidente. Ndonëse të vetëdijshëm që Kushtetuta e Kosovës jep një kornizë të përgjegjësive e detyrimeve të presidentit, detyra e tillë plotësohet, e merr kuptim nga ushtruesi i saj. Është njeriu që e bën presidentin, jo letra; qoftë ajo një letër aq e vlefshme sa Kushtetuta e Kosovës. Sepse e shkuara na ka mësuar ndryshe", tha ai.

Abdixhiku tha se presidenti i ri i vendit, duhet të jetë bashkues dhe i të gjithëve dhe jo t’i “nënshtrohet një pushteti".

“Ne presim që presidenti i ardhshëm i vendit, kushdo që zgjidhet, të ushtrojë këto detyrime me përgjegjësi të plotë, që të jetë president i të gjithëve, që të jetë bashkues e jo ndarës, që të jetë garantues i Kushtetutës dhe jo keqpërdorues i saj, që të jetë njëmend president e jo i nënshtruar i një pushteti”, tha ai.

SHIKONI EDHE: Kurti: Seanca për presidentin, sapo të zëvendësohen deputetët

Vjosa Osmani më herët ka qenë nënkryetare e LDK-së dhe kandidate e kësaj partie për kryeministre në zgjedhjet e vitit 2019. Por, në qershorin e vitit të kaluar, LDK-ja e shkarkoi nga të gjitha funksionet partiake, pasi Osmani ishte shprehur kundër disa vendimeve të partisë, përfshirë edhe prishjen e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje dhe formimin e qeverisë së re, që u udhëhoq nga Avdullah Hoti.

Më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi i ri dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.

Ndryshe, ende nuk dihet se kur do të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit. Më herët gjatë të martës, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se për thirrjen e kësaj seance duhen nënshkrimet e 45 deputetëve.

Si zgjidhet presidenti?

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota për të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

LVV-ja ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15.

Partia Demokratike e Kosovës, parti kjo në opozitë tashmë ka qëndrimin e saj se nuk do ta votoj Vjosa Osmanin për presidente, ashtu siç nuk e ka votuar as Qeverinë Kurti 2. Edhe partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se nuk do ta mbështesë Osmanin për postin e presidentit.

Pro votimit të Osmanit janë deklaruar komunitetet joserbe.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Këtë post e ushtroi Vjosa Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Glauk Konjufca mori edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit.