KQZ-ja miraton propozimet për zëvendësim të deputetëve

Pamje e Kuvendit të Kosovës.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka miratuar të mërkurën emrat e 13 personave, për të zëvendësuar deputetët që janë emëruar në pozita qeveritare apo kanë hequr dorë nga mandati.

Nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, mandatin e deputetit e kanë fituar nëntë kandidatë.

Nga partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është zëvendësuar një kandidat, ashtu sikurse nga partitë e komuniteteve, Partia e Re Demokratike (NDS), Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK) dhe Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën se seanca për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës do të thirret pas zëvendësimit të të gjithë deputetëve.

Duke folur para mediave, Kurti, është shprehur i bindur se do t’i kenë votat e mjaftueshme në Kuvend për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në pozitën e presidentes.

Kurti ka thënë se për këtë pozitë, Osmanin e ka legjitimuar populli duke ia dhënë më shumë se 300 mijë vota në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Besoj se porsa të bëhet zëvendësimi i deputetëve, që u bënë ministra ose zëvendëskryeministra dhe iu bashkuan kabinetit qeveritar, do të mund të thërrasim një seancë të radhës në të cilën padyshim e sigurt, atë që e votoi populli me mbi 300 mijë vota do të mund ta legjitimojmë edhe me të gjitha votat e nevojshme në mbledhjen e Kuvendit të Republikës”, ka deklaruar ai.