Evropa Lindore dhe Qendrore regjistrojnë rekord të infektimit me koronavirus

Strisho e testimit për koronavirus.

Polonia, Ukraina dhe Bullgaria kanë raportuar shifra rekorde të të infektuarve dhe të vdekurve me koronavirus, teksa shtetet evropiane përballen me valë të re të rasteve dhe detyrohen të kthejnë sërish masat e izolimit.

Mungesa e dozave të vaksinave kundër këtij virusi është duke përkeqësuar gjendjen po ashtu.

Ukraina, shteti më i madh i Evropës Lindore, ka raportuar më 24 mars, 342 të vdekur me koronavirus.

Bullgaria, në anën tjetër, ka regjistruar shifra rekorde të infektimit brenda ditës, 4,851.

Në Evropën Qendrore, Polonia ka regjistruar 29,978 të infektuar me koronavirus në 24 orët e fundit – shifër rekorde prej shpërthimit të pandemisë – andaj qeveria është zotuar për ashpërsim të izolimit të pjesshëm.

Ministri i Shëndetësisë Adam Niedzielski ka thënë se situata është e rëndë në Mazovi, rajon qendror që përfshin kryeqytetin Varshavën, dhe rajonin industrial Silesia.

“Fatkeqësisht, këto shenja sot janë duke na shtyrë të mendojmë shumë seriozisisht për ashpërsim të masave. Ne jemi duke menduar nëse duhet ta bëjmë një gjë të tillë në rrafsh rajonal, apo kombëtar”, ka thënë Niedzielski për rrjetin Wirtualna Polska.

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki ka thënë se kufizimet e reja do të prezantohen më 25 mars.

Më herët gjatë këtij muaji, Polonia ka rikthyer një varg masash për luftim të valës së infektimit, duke mbyllur shkollat, qendrat tregtare dhe teatrot.

Në Gjermani, kancelarja Angela Merkel ka përmbysur një vendim për masa më të ashpra kundër koronavirusit në kohën e Festës së Pashkëve, pas kritikave të ashpra, ka raportuar agjencia e lajmeve dpa më 24 mars.

Tërheqja e vendimit ka ardhur disa orë pasi janë bërë të ditura kufizimet, si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve në këtë shtet.

Gjermania ka regjistruar më shumë se 75,000 viktima prej shpërthimit të pandemisë, një vit më parë.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian pritet të propozojë rregulla të reja, që potencialisht mund të bllokojnë eksportin e vaksinave kundër koronavirusit në Britani dhe shtete tjera, pas mungesave të dozave të mjaftueshme brenda vetë BE-së.