Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se seanca për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës do të thirret pas zëvendësimit të të gjithë deputetëve, të cilët u emëruan në poste qeveritare.
Duke folur para mediave, Kurti, u shpreh i bindur se do t’i kenë votat e mjaftueshme në Kuvend për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në pozitën e presidentes.
Kurti tha se për këtë pozitë, Osmanin e ka legjitimuar populli duke ia dhënë më shumë se 300 mijë vota në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Besoj se porsa të bëhet zëvendësimi i deputetëve, që u bënë ministra ose zëvendëskryeministra dhe iu bashkuan kabinetit qeveritar, do të mund të thërrasim një seancë të radhës në të cilën padyshim e sigurt, atë që e votoi populli me mbi 300 mijë vota do të mund ta legjitimojmë edhe me të gjitha votat e nevojshme në mbledhjen e Kuvendit të Republikës”, tha Kurti.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë një mbledhje gjatë së mërkurës në të cilën do të vendosë për zëvendësimin e deputetëve, të cilët u emëruan në pozita ekzekutive.
Përmes një komunikate për media, shtetet e Quintit, të martën, i bënë thirrje spektrit politik që të tregojë konstruktivitet në zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Shtetet e Quint-it thonë se detyra e parë e institucioneve të reja të Kosovës është zgjedhja e presidentit të ri të vendit.
Më 22 mars, u konstituua Kuvendi i ri dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.
Aktualisht është e paqartë nëse do të sigurohen votat e mjaftueshme për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në pozitën e presidentes, për shkak se ajo nuk po përkrahet nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ndërkaq, ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk e ka bërë të qartë nëse do ta votojë ose jo Osmanin për një mandat pesëvjeçar në krye të shtetit.
Partitë e komuniteteve joserbe kanë shprehur përkrahjen e tyre për Osmanin.
Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Që nga 5 nëntori deri më 22 mars, këtë post e ushtroi Vjosa Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Glauk Konjufca mori edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit.
Që një person të zgjidhet president i Kosovës, sipas kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhet të sigurojë dy të tretat e votat të Kuvendit të Kosovës prej 120 ulësesh. Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web