Konjufca: Brenda orësh mund të zgjidhet edhe Qeveria  

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca.

Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, tha të hënën se seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re mund të mbahet brenda disa orësh.

“Janë edhe disa procedura teknike derisa kjo të ndodhë (zgjedhja e qeverisë). Nuk e përjashtojmë që pas disa orëve kjo do të ndodhë”, tha ai.

Këto komente Konjufca i bëri nga zyra e kryeparlamentarit, pasi kryetarja e deritanishme, Vjosa Osmani ia barti kompetencat.

Gjatë pranim-dorëzimit, Osmani tha se është e bindur që, Konjufca, gjatë këtij mandati, do të përfaqësojë qytetarët në përputhje me vullnetin e tyre.

“Kam nderin që të bart përgjegjësitë e Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës, deputetit dhe përfaqësuesit shembullor të qytetarëve të Kosovës në këto legjislatura. Dhe jam shumë e bindur që përgjatë këtij mandati, jo vetëm që do të përfaqësojë qytetarët e Kosovës në përputhje me vullnetin e tyre, por do të sigurohet që Kuvendi i Kosovës të jetë shtëpi e qytetarëve dhe tempull i demokracisë”, tha Osmani.

Me zgjedhjen e Konjufcës në krye të organit legjislativ, ai po ashtu merr edhe postin e ushtruesit të detyrës së presidentit.

Kuvendi i Kosovës u konstitua 37 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 50.28 të votave apo 58 ulëse në kuvend.

Kurti, i cili pritet të udhëheqë ekzekutivin e ri, ka deklaruar se qeverinë do ta formojë me partitë e komuniteteve joserbe, duke përjashtuar nga koalicioni qeverisës Listën Serbe dhe partitë e tjera shqiptare.