Kuvendi zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët e rinj

Kuvendi i Kosovës.

Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, është zgjedhur kryetar i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

Në të mirë të tij kanë votuar 69 deputetë, derisa 33 deputetë kanë votuar kundër.

Kuvendi më pas ka zgjedhur edhe tre nënkrytarët nga partitë me shumicë shqiptare: Saranda Bogujevcin nga Lëvizja Vetëvendosje, Bedri Hamzën nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Kujtim Shalën nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Nënkryetarët e rinj, nga partitë me shumicë shqiptare, janë zgjedhur me 107 vota për dhe gjashtë vota kundër.

Nga komuniteti serb, nënkryetar është zgjedhur Sllavko Simiq, derisa nënkryetar i pakicës joserbe është zgjedhur deputeti Bekim Arifi.

Të dy këta nënkryetarë janë zgjedhur me 91 vota për, gjashtë kundër dhe dhjetë abstenime.

Konstituimi i Kuvendit i hap rrugë formimit të ekzekutivit të ri, 37 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.