Të premten, më 19 mars, autoritetet shëndetësore në Kosovë, pritet të marrin vendim lidhur me pushimin pranveror në të gjitha nivelet e arsimit, pas analizimit të situatës epidemiologjike.
Zyra e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Avdullah Hoti thotë se për këtë çështje do të bisedohet në Komitetin kundër koronavirusit, ku do të rishikohen edhe masat që janë në fuqi ndaj pandemisë COVID-19.
Të enjten, më 18 mars u paralajmëruar se mund të merrej vendimi për mbylljen e shkollave nga 22 marsi, për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar me koronavirus.
Kosova së fundmi ka regjistruar rritje të rasteve me koronavirus. Më 18 mars, u regjistruar numri më i madh i infektimeve ditore, përkatësisht 709 raste. Kurse, të enjten, Kosova regjistroi 704 raste të tjera.
Në muajin mars, 373 arsimtarë, nxënës dhe personel të shkollave në gjithë territorin e Kosovës, kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Nga kjo shifër, janë 189 nxënës të infektuar, 151 arsimtarë dhe 33 personel të shkollës.
Në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, thonë se vetëm javën e kaluar janë realizuar 170 testime, kurse 130 nga ta kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.
Pikërisht për shkak të rritjes se numrit të personave të infektuar në sistemin e arsimit me sëmundjen COVID-19, Ministria e Arsimit ka propozuar që në institucionet arsimore të ndërpritet procesi mësimor për një javë, nga data 22 mars.
Këtë propozim, kjo ministri e ka dërguar në Ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë që të vlerësohet gjendja epidemiologjike dhe të vendoset për format e zhvillimit të procesit mësimor në periudhën në vijim.
SHIKONI EDHE: Hoti paralajmëron mësim online në të gjitha nivelet e arsimitZëvendësministri në detyrë i Arsimit, Xhavit Rexhaj në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se ministria nuk e preferon mësimin nga distanca, apo online, për shkak se nuk është mësim cilësor.
“Mësimin online e kemi vlerësuar që nuk po tregon efekte. Atëherë më mirë është që arsimtarët dhe nxënësit të pushojnë një javë sesa të zhvillohet mësim në një mënyrë që nuk garanton sukses. Problemi tjetër është tek (mungesa) e pajisjeve teknologjike”, tha Rexhaj.
Reshitaj: Shkollat nuk janë vatër e përhapjes së infektimit
Ndërprerjen e procesit mësimor po e kundërshton Këshilli i Prindërve të Kosovës. Ymret Reshitaj nga ky Këshill, për Radion Evropa e Lirë, tha se shkollat nuk janë vatër e përhapjes të infektimit.
Në Kosovë, thotë ai, aktivitetin e zhvillojnë të gjitha bizneset, institucionet qendrore e lokale dhe në këtë situatë, sipas Reshitajt, është e padrejtë të mbyllen shkollat, pasi kjo shkon në dëm të fëmijëve, të cilët edhe ashtu kanë humbur shumë.
“Këto institucione nuk e kanë analizuar mirë një vendim të tillë. Kanë dilema të mëdha se si të menaxhojnë pandeminë dhe mendojnë se me mbylljen e shkollave mund të zgjidhet gjithçka. Ky është gabim i madh. Madje as vendet e rajonit nuk i kanë mbyllur shkollat”, tha ai.
SHIKONI EDHE: Si duhet të reagojnë shkollat në rast të përhapjes së koronavirusit?Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, edhe pse nuk pajtohet me ndërprerjen e procesit mësimor, thotë se shëndeti i nxënësve dhe arsimtarëve mbetet prioritet.
Zemaj: Rreth 30 për qind e nxënësve dhe arsimtarëve, të infektuar me koronavirus
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me zyrtarë në IKSHPK për të marrë informata rreth përqindjes së të infektuarve të personelit arsimor dhe nxënësve, por nga ky institucion nuk janë përgjigjur.
Tre skenarë të mësimit
Viti shkollor 2020/2021 filloi më 14 shtator.
Ky vit shkollor është paraparë të realizohet përmes tre skenarëve. Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë apo online.
Por, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një intervistë në Klan Kosova, më 15 mars 2021, ka thënë se “numri i të infektuarave në këtë sistem ka arritur deri në 30 për qind”.
Megjithatë, Jasharaj, thotë se kjo rritje e rasteve është rezultat i fushatës zgjedhore të subjekteve politike për zgjedhjet parlamentare, që janë mbajtur më 14 shkurt, 2021.
“Një ‘meritë’ për situatën aktuale në sistemin e arsimit, por edhe në përgjithësi, e ka fushata zgjedhore, pasi pjesëmarrja e qytetarëve në këto tubime ka qenë jashtëzakonisht e madhe, pa respektuar masat mbrojtëse”, tha Jasharaj.
Mësimi fizikisht në shkolla, ka nisur në shtator të vitit të kaluar, duke respektuar masat kundër parandalimit të koronavirusit: mbajtjen e maskës, distancës dhe higjienës personale. Mësimi është zhvilluar me orar të shkurtuar, për shkak të ruajtjes së distancës, nxënësit e një klase janë ndarë në dy grupe.
Dyshime për cilësinë e mësimit online
Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Arsim të Kosovës, thotë se nëse situata epidemiologjike kërkon një gjë të tillë, atëherë më e favorshme do të ishte pushimi sesa mësimi nga distanca. Ai shprehet se kalimi i procesit mësimor nga distanca, në kushtet aktuale në Kosovë, e ulë cilësinë e punës në shkollë dhe ndikon në rezultatet e nxënësve.
“Në kushtet tona kjo mund të shihet edhe pak më e rënduar, për shkak të kushteve infrastrukturore në shkolla, mësimdhënësit tanë nuk janë të përgatitur për mësimin online. Pasi ky lloji mësimi, arsimtarëve në Kosovë i ka ardhur si detyrim, me rastin e mbylljes që ka ndodhur vitin e kaluar. Dhe thjesht në sistemin tonë shkaktohet dëme te nxënësit, një çështje e tillë shkaktohet edhe te vendet e zhvilluara, por në masë më të vogël”, thekson Pupovci.
SHIKONI EDHE: Sfida e një mësueseje në pandemiPupovci: PISA do tregojë rezultatet e mësimit në kohë pandemie
Pupovci, thekson se zhvillimi i procesit mësimor në forma të ndryshme në kohë pandemie ka ndikuar në uljen e cilësisë së mësimit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera. Dhe kjo sipas tij, më së miri do të vërehet në Programin për vlerësim ndërkombëtar PISA, i cili do mbahet vitin e ardhshëm.
SHIKONI EDHE: Një rast pozitiv nuk e izolon klasën“Në këtë test besoj se te të gjithë nxënësit e botës do të reflektohen pasojat e mbylljes dhe çrregullimit të mësimit nga COVID-19. Por, besoj se te nxënësit që vijnë nga vendet në tranzicion, ku kushtet për mësim online janë më të këqija, aty do të reflektohet edhe më shumë. Prandaj, kam frikë se PISA 2022, nuk do të jetë ndonjë rast për të treguar përmirësime në rezultate, por përkundrazi mund të ketë keqësim të rezultatit, pasi kemi pasur çrregullim të konsiderueshëm të procesit mësimor tashmë një vit”, thekson Pupovci.
Për cilësi të dobët në arsim, Kosova është alarmuar për të dy herë me radhë edhe nga PISA, në vitin 2019. Ky mekanizëm e pati radhitur Kosovën në vendin e 77 në mesin e 79 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi.