Rusia dhe Irani kanë zhvilluar operacione dezinformuese për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale në SHBA, në vitin 2020, thuhet në një raport të inteligjencës amerikane.
Raporti i paklasifikuar prej 15 faqesh, i publikuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, thotë se nuk ka indikacione se aktorët e huaj kanë bërë përpjekje të ndikojnë aspektet teknike të zgjedhjeve, të tilla si ndërhyrja në fletëvotime ose tabela të votuesve.
Por, thuhet në raport, presidenti rus, Vladimir Putin, “ka autorizuar disa organizata të Qeverisë ruse që të ndikonin në operacione, me qëllim denigrimin e kanidaturës së presidentit [Joe] Biden dhe të Partisë Demokratike, duke mbështetur ish-presidentin [Donald] Trump”.
Strategjia e Moskës është përqendruar në përdorimin e “përfaqësuesve të lidhur me inteligjencës ruse, për të çuar përpara narracionet e saj”, thuhet në raport.
Irani po ashtu ka kryer “një fushatë të ndikimit të fshehtë për të dëmtuar rizgjedhjen e presidentit Trump”, por “nuk e ka promovuar në mënyrë aktive Bidenin”, thekson raporti.
Sipas tij, qëllim i Iranit ka qenë të minonte besimin në zgjedhjet dhe institucionet amerikane dhe të nxiste ndarje brenda shoqërisë.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, “ka autorizuar fushatën dhe ushtria e Iranit, si dhe shërbimet e tij të inteligjencës e kanë zbatuar atë, duke përdorur mesazhe të hapura dhe të fshehta, si dhe operacione kibernetike”, thekson raporti i inteligjencës amerikane.