Hoti paralajmëron mësim online në të gjitha nivelet e arsimit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se do të mbesin në fuqi masat e njëjta kundër pandemisë së COVID-19 pasi "trendet janë stabile".

Hoti ka diskutuar të martën për situatën e pandemisë me ministrin e Shëndetësisë në detyrë, Armend Zemaj, drejtorin e Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi dhe zëvendësministrin e Arsimit, Xhavit Rexhaj.

"Po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi. Vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite", ka thënë Hoti përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

SHIKONI EDHE: Pa vaksina s’ka rimëkëmbje

Hoti tha se është kërkuar nga institucionet përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të masave kundër COVID -19, që të ngrisin nivelin e angazhimit përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi.

Kosova mbetet i vetmi vend në Evropë që nuk e ka filluar procesin e imunizimit të popullatës kundër COVID-19. Në Kosovë, vaksinat ishte paralajmëruar të vinin në shkurt, por kjo nuk kishte ndodhur.

Kryeministri në detyrë thotë se Komiteti për Imunizim dhe institucionet përkatëse janë duke i kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme që sapo të arrijë kontingjenti i parë nga programi botëror për shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfëra, COVAX, menjëherë të filloj vaksinimi i qytetarëve.

Që prej 13 marsit, 2020, e deri më 15 mars, 2021, Kosova ka regjistruar në total 77,827 raste me COVID-19. Prej tyre, 1,715 raste kanë përfunduar me fatalitet, ndërkaq 65,060 persona janë shëruar.