Osmani dhe Kurti pritet të takojnë drejtuesit e PDK-së dhe AAK-së

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës Vjosa Osmani dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Të hënën pritet të nisin takimet në mes të ushtrueses së detyrës së presidentit Vjosa Osmani dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, me krerë të partive tjera politike në Kosovë.

Kurti dhe Osmani kanë bërë këto ftesa, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Kurti synon postin e kryeministrit, derisa Osmani, e cila ka garuar në listën e LVV-së synon mandat të plotë si presidente.

Në bazë të disa letrave të publikuara javën e kaluar nga anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetarit të detyrë të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhajt, i është bërë ftesë për takim në orën 11:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Hoxhaj dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj është raportuar të kenë pranuar ftesat për takim.

Takimi mes Osmanit, Kurti dhe Haradinajt është planifikuar për orën 13:30.

Një tjetër takim me Lumir Abdixhikun, kryetarin e ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës është planifikuar për orën 12:00.

Megjithatë, Abdixhiku ka thënë se nuk do të arrijë të marrë pjesë në takim sepse i duhet të dalë në zyret e LDK-së, në ditën e parë si kryetar i kësaj partie.

Ai ka propozuar të premten si ditë kur do të mund të zhvillohet ndonjë takim eventual me Osmanin dhe Kurtin.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke siguruar 58 ulëse në legjislaturën e re.

Sipas rezultatit përfundimtar, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse në kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë deputetë.

Për formim të Qeverisë në Kosovë duhen të sigurohen 61 vota në Kuvendin e Kosovës.

Kurti ka thënë se qeverinë synon ta formojë me disa parti të komuniteteve joserbe.

Sa i përket pozitës së presidentit, kandidatët për këtë pozitë duhet të kenë 80 vota për të fituar ulësen në presidencë.