Kosova zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem, njoftoi të dielën, më 14 mars, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.
“Në pamundësi për të qenë prezentë në Jerusalem, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që pllakën e zbuluar nga ministri (i Jashëm i Izraelit, Gabriel) Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
MPJD-ja thotë se me hapjen e hapjen e Ambasadës së saj në Jerusalem, Kosova ka përmbushur zotimin e dhënë më 1 shkurt, kur të dyja shtetet vendosën marrëdhënie diplomatike.
"Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës", thotë Ministria e Jashtme dhe e Diasporës.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Besnik Tahiri, në një konferencë për media të mbajtur të dielën në Prishtinë, njohjen nga Izraeli e cilësoi si një nga njohjet më të rëndësishme që ka marr Kosova që prej se ka shpallur pavarësinë më 2008.
Tahiri, i cili njëherësh është edhe zëvendëskryeministër në detyrë, tha se pret që Qeveria e ardhshme e Kosovës të respektojë vendimin për hapjen e Ambasadës në Jerusalem.
"Shtetet nuk ndryshojnë qëndrime në bazë të ndërrimit të qeverive apo administratave. Ky është vendim shtetëror i cili besoj se do të respektohet edhe nga qeveria e ardhshme", tha Tahiri.
Ky koment i Tahirit vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje, që ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit, e që pritet të udhëheqë me qeverinë e re, kishte thënë se do të rishikonte dokumentacionin e qeverisë në shkuarje.
Tahiri dha një kronologji të hapjes së Ambasadës, duke theksuar se fillimisht ishte paraparë që më 15 mars, ish-ministrja Meliza Haradinaj-Stublla të merrte pjesë në inaugurimin e Ambasadës në Jeruslam, por më 9 mars, Haradinaj-Stublla dha dorëheqje nga ky post, nën dyshimet për përfshirje në manipulim të votave për zgjedhjet e 14 shkurtit. Prandaj, ai tha se ka autorizuar të ngarkuarën me punë, Ines Demirin, që të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së ambasadës.
Ambsada e Kosovës, sipas Tahirit, gjendet 500 metra larg Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.
E ngarkuara me punë e Kosovës në Izrael Ines Demiri, më 26 shkurt njoftoi përmes Twitter-it se ka arritur në Izrael. Ajo pritet të jetë ambasadorja e Kosovës në këtë shtet.
A truly proud and historic moment for 🇽🇰 🤝 🇮🇱 relations. The Republic of Kosovo today officially opened its Embassy in Jerulasem! The greatest honor of my life is to have this opportunity to open the Embassy and proudly serve my country in Israel. pic.twitter.com/beUFmOeA5g
— Ines Demiri (@InesDemiri1) March 14, 2021
Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem u parapa në Marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Në dokumentin e nënshkruar nga Kosova, është paraparë njohja e ndërsjellë me Izraelin, ndërkaq, në rastin e Serbisë, është paraparë zhvendosja e Ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që ende nuk ka ndodhur.
SHIKONI EDHE: BE: Ambasada e Kosovës në Jerusalem, vendim fatkeqHapjen e Amasadës së Kosovës në Jerusalem e kishte kundërshtuar Bashkimi Evropian. Më 2 shkurt, BE-ja e quajti vendim fatkeq hapjen e kësaj ambasade në qytetin e Jerusalemit, statusin e të cilit, blloku evropian e konsideron të pazgjidhur.
Kundërshti kishte shprehur edhe Ambasada turke në Prishtinë si dhe Liga Arabe. Kjo e fundit, i kishte bërë thirrje Kosovës që të heqë dorë nga ky vendim, dhe t'i përmbahet rezolutave ndërkombëtare mbi Jerusalemin.
Në fund të vitit 2017, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi për vendimin e qeverisë së tij që të njihte Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.
Më këtë, SHBA-ja mori vendim që të zhvendoste edhe Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.
Veprimi i SHBA-së nxiti reagime të shumta ndërkombëtare, pasi shumica e fuqive botërore nuk e njohin sovranitetin e Izraelit mbi të gjithë Jerusalemin dhe thonë se statusi përfundimtar i tij duhet të vendoset përmes negociatave për paqe në Lindjen e Mesme.
Konflikti izraelito-palestinez është një konflikt i vazhdueshëm që ka filluar dekada më parë.
Ka pasur përpjekje të shumta për zgjidhjen paqësore të problemit, mirëpo konflikti është prezent edhe sot.