Më 2020 "u vranë 65 punëtorë mediash në botë"

Ilustrim.

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve ka thënë se 65 gazetarë dhe punëtorë mediash janë vrarë në gjithë botën një vit më parë, teksa kanë qenë duke kryer punën e tyre.

Në raportin e publikuar më 12 mars, kjo federatë ka thënë se vrasjet e gazetarëve janë bërë në gjashtë shtete përmes sulmeve të shënjestruara, sulmeve me bomba, dhe incidenteve tjera.

“Regjimi i pamëshirshëm i baronëve të krimit në Meksikë, dhuna e ekstremistëve në Pakistan, Afganistan dhe Somali, si dhe jotoleranca e linjës së ashpër në Indi dhe Filipine, kanë kontribuuar në gjakderdhje të vazhdueshme në media”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, Anthony Bellanger.

Meksika është renditur e para në listë për numrin e gazetarëve të vrarë më 2020, 14 në total.

Dhjetë gazetarë apo punëtorë mediash janë vrarë në Afganistan, nëntë në Pakistan, tetë në Indi, nga katër në Filipine dhe Siri dhe nga tre në Nigeri dhe Jemen.

Të vrarë janë regjistruar edhe në Irak, Somali, Bangladesh, Kamerun, Honduras, Paraguaj, Rusia dhe Suedi.

Prej kur kjo federatë ka nisur të mbajë shënime më 1990, ka arritur të regjistrojë 2,680 gazetarë apo punëtorë mediash të vrarë.

Ky institucion ka thënë se të paktën 229 gazetarë janë nëpër burgje në gjithë botën, për shkak të punës së tyre.

Turqia është lidere në këtë aspekt, me të paktën 67 punëtorë mediash mbrapa grilave.