Legjislatura e Kinës ka përkrahur planin për të ndryshuar sistemin zgjedhor të Hong Kongut, një tjetër shenjë se Qeveria në Pekin nuk do të tolerojë më disidentët në këtë qytet.
Ndryshimet synojnë që përgjegjësinë për udhëheqjen e Hong Kongut ta lënë në duart e “patriotëve”, ka thënë kryeministri kinez Li Keqiang më 11 mars, pasi Kongresi Kombëtar Popullor, ka miratuar ndryshimet.
Këto veprime ndodhin në kohën e shtypjes së lëvizjes pro-demokracisë në Hong Kong.
Zyrtarët kinezë e kanë bërë të qartë se besnikëria ndaj Partisë Komuniste do të jetë çelësi për të vendosur nëse një banor i Hong Kongut është “patriot”.
Ligji i propozuar do t’i ofronte mundësi Komitetit pro-Pekinit që të ketë fuqinë e vetos ndaj të gjithë kandidatëve për Parlamentin e Hong Kongut dhe të zgjedhë shumicën e anëtarëve.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja dënon "sulmin" e Kinës ndaj autonomisë së Hong KongutLegjislacioni i propozuar duhet të hartohet dhe më pas të zbatohet.
Ministri i Jashtëm britanik Dominic Raab ka thënë se plani “nuk do të lë hapësirë për debat demokratik në Hong Kong, në kundërshtim me premtimet e bëra nga Kina”.
Kritikët tjerë kanë thënë se ndryshimet do të pamundësojnë rolin e opozitës.
Hong Kongu është ish-koloni e Britanisë së Madhe dhe tani është pjesë e Kinës.
Ky qytet funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”, që nënkupton se ky qytet ka sistemin e vet ligjor dhe të drejtat tjera, përfshirë të drejtën e shprehjes dhe shtypit të lirë.