Pavarësisht rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë do të vazhdojnë të zbatohen masat e njëjta për luftim të pandemisë së koronavirusit.
Ai i ka bërë këto komente pas një takimi me ministrin në detyrë të Shëndetësisë Armend Zemaj, drejtorin e Institutit të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani dhe drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar Valbon Krasniqi.
“Institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota, furnizimi me barna është stabil, ndërsa deri në fund të muajit pritet të arrijë kontingjenti i parë i prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX dhe menjëherë të fillojë vaksinimi i qytetarëve”, ka thënë Hoti.
Megjithatë, qytetarët e intervistuar më 10 mars në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se duhet të blejnë pothuajse të gjitha ilaçet për familjarët e infektuar me koronavirus.
Vetëm në shtatë ditët e fundit, në Kosovë janë regjistruar mbi 4.500 raste të infektimit.
Your browser doesn’t support HTML5
Nga data 11 shkurt, orë policore nuk ka në asnjë qytet të Kosovës, derisa orari i punës së operatorëve ekonomikë është nga ora 05:00 deri më 22:00.
Përndryshe Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.
Skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVOX, përmes së cilës pritet të shpërndahen vaksinat për koronavirus në vendet e varfra, ka bërë të ditur se Kosova mund të furnizohet me këtë vaksinë deri në muajin maj.
Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.
Your browser doesn’t support HTML5
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.
Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina.