Rohani: Irani është i gatshëm të marrë masa pasi të hiqen sanksionet e SHBA-së

Presidenti iranian Hassan Rohani.

Irani ka thënë se është i përgatitur për të marrë masa drejt zbatimit të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, në momentin që Shtetet e Bashkuara heqin sanksionet ndaj këtij shteti.

“Irani është i gatshëm të marrë masa kompensuese, bazuar në marrëveshjen bërthamore dhe të përmbushë obligimet, pasi të hiqen sanksionet e paligjshme amerikane dhe pasi të braktiset politika e kërcënimeve dhe presionit”, ka thënë presidenti iranian Hassan Rohani më 7 mars.

Rohani i ka bërë këto komente teksa ka pranuar ministrin e Jashtëm irlandez, Simon Coveney, i cili po bën përpjekje për të ruajtur marrëveshjen bërthamore.

Irlanda nuk është pjesë e marrëveshjes, mirëpo Dublini ka rol si ndërmjetësues për zbatim të marrëveshjes.

Rohani ka kritikuar vendet evropiane, nënshkruese të marrëveshjes – Britaninë, Francën dhe Gjermaninë – për siç ka thënë ai, mungesën e përkushtimit për marrëveshjen.

Ai ka thënë se Irani “është pala e vetme që ka paguar çmimin e marrëveshjes”.

Presidenti amerikan Joe Biden ka dhënë shenja se ka gatishmëri për të zbatuar marrëveshjen, mirëpo insiston që Irani fillimisht t’iu kthehet përkushtimeve bërthamore.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump është tërhequr njëanshëm nga marrëveshja më 2018, e cila parasheh kufizimin e programit bërthamor të Iranit, në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Administrata Trump pati thënë se marrëveshja nuk përfshin programin e raketave balistike të Iranit, dhe mbështetjen për grupet rajonale, të cilat Uashingtoni i konsideron terroriste.

Pas tërheqjes nga marrëveshja më 2018, Shtetet e Bashkuara kanë rikthyer sanksionet ndaj Iranit.

Si përgjigjje, Irani ka braktisur gradualisht disa pika të marrëveshjes.