Të premten, Kosova regjistroi shtatë viktima nga koronavirusi. Viktimat janë nga Deçani, Fushë Kosova, Gjakova, Obiliqi, Prishtina, Prizreni dhe Vushtrria.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike nga 3.192 mostra të testuara, janë regjistruar edhe 564 raste të reja me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
Në 24 orët paraprak janë shëruar edhe 380 pacientë, duke e çuar në 61.394 numrin e përgjithshëm të të shëruarve, që nga paraqitja e pandemisë.
Që prej 13 marsit, 2020 e deri më 5 mars, 2021, Kosova ka regjistruar 71.908 raste me COVID-19. 1.634 raste kanë përfunduar me fatalitet.
Raste aktive janë 8.880.
Kosova është i vetmi vend në Evropë që ende nuk ka siguruar asnjë dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Të premten, më 5 mars, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha se gjatë këtij muaji pritet arritja e kontingjentit të parë të vaksinave prej 33 mijë dozash nga programi COVAX.
SHIKONI EDHE: Hoti: Në mars pritet të arrijnë 33 mijë doza të vaksinësProgrami i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.