Komunitetet joserbe dorëzojnë ankesë në PZAP  

Fotografi nga arkivi.

Partitë nga komunitetet joserbe në Kosovë kanë dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar që të anulohen votat e komunitetit serb për partitë boshnjake dhe rome në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Përfaqësuesit politikë të komunitetit boshnjak, rom, ashkali dhe egjiptas pretendojnë se partia boshnjake“Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq” dhe “Iniciativa Rome” kanë siguruar vota në zgjedhjet e 14 shkurtit, me ndihmën e Listës Serbe.

Duda Bale nga Unioni Socialdemokrat, e cila, sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, nuk arriti të fitojë ulëse, tha se komunitetet joserbe janë të gatshme që këtë çështje ta dërgojnë deri në Gjykatën Kushtetuese, nëse PZAP-ja dhe më pas Gjykata Supreme i hedhin poshtë pretendimet e tyre.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, institut ky që i ka ofruar ndihmë juridike falas komuniteteve joserbe, tha se bëhet fjalë për manipulimin e rreth 10 mijë votave.

“Në bazë të ankesës që kemi përgatitur, kemi shkelje, në radhë të parë, të vullnetit të qytetarëve të komuniteteve joshumicë, kemi një manipulim të orkestruar nga Lista Serbe me disa parti boshnjake dhe rome. Janë afërsisht rreth 10 mijë vota, që kanë kaluar nga komuniteti serb te së paku dy parti të komuniteteve joshumicë”, tha Miftaraj.

SHIKONI EDHE: Protestë kundër “uzurpimit të vendeve të garantuara” në Kuvendin e Kosovës

Komunitetet joserbe thonë se “Iniciativa Rome”dhe “Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq”, në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë marrë vota në vendbanime ku nuk jetojnë të këtyre komuniteteve.

Sipas rezultatit të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, “Iniciativa Rome” ka fituar dy ulëse në kuvend, ndërkaq partia boshnjake, “Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq”, ka fituar një ulëse.

Sipas rezultatit, "Komuniteti i Bashkuara Adrijana Hoxhiq" ka fituar 6.422 vota, ndërkaq, "Iniciativa Rome" ka siguruar 4.049 vota.

Hoxhiq, ndonëse ka pranuar se ka marrë vota nga mjediset me shumicë serbe, ka hedhur poshtë akuzat se ato i janë siguruar nga Lista Serbe.

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë më 20 shkurt, vlerësoi se ankesat e komuniteteve janë krejtësisht të bazuara.

Norma kushtetuese, siç tha ai, i garanton përfaqësim efektiv secilit komunitet në vend.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, komuniteti boshnjak i ka të garantuara tri ulëse në Kuvendin e Kosovës. Komuniteti turk ka të garantuara dy ulëse, ndërkaq për përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas janë të garantuara nga një ulëse si dhe një ulëse shtesë për njërën nga këto komunitete, që fiton më së shumti vota. Një ulëse të garantuar i takon edhe komunitetit goran.