Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, arriti të martën në Sarajevë, së bashku me 10,000 vaksina kundër koronavirusit.
Dozat e vaksinës AstraZeneca do të shpërndahen në Federatën e Bosnjës - njërin nga dy entitetet e këtij vendi.
Vuçiq tha në Aeroportin e Sarajevës se “është i lumtur nëse këto vaksina shpëtojnë jetë në Bosnje e Hercegovinë”.
“Cilëndo vaksinë që e duan qytetarët e Bosnjës, ne do ta shpërndajmë. Çështja është te besimi në njëri-tjetrin. Ne kemi pritur ndihmën e njerëzve shumë më të fuqishëm, por po mbështetemi te njëri-tjetri. Ne në Serbi nuk mund të jemi të lumtur nëse njerëzit në Sarajevë, Banja Llukë ose Tuzëll nuk janë të lumtur”, tha Vuçiq.
Entiteti tjetër i Bosnjës, Republika Sërpska, ka nisur vaksinimin në shkurt, po ashtu me vaksina të dhuruara nga Serbia.
Republika Sërpska ka pranuar vaksina ruse Sputnik V.
Serbia i ka dhuruar vaksina edhe Malit të Zi, edhe Maqedonisë së Veriut.
SHIKONI EDHE: Kina po krijon shteg në Ballkan përmes “diplomacisë me vaksina”Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia besohet se ka vaksinuar numrin më të madh të qytetarëve kundër koronavirusit.
Autoritetet serbe kanë thënë se kanë siguruar vaksina ruse, kineze dhe të kompanive perëndimore, si: Moderna, Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.
Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka nisur ende imunizimin e popullatës kundër koronavirusit.
SHIKONI EDHE: Ku dështoi Kosova në sigurimin e vaksinës?