Përhapja e varianteve shumë ngjitëse të koronavirusit kërcënon të shkaktojë “rritjen e katërt potenciale të rasteve” në SHBA, tha shefja e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në këtë vend, Rochelle Walensky.
Ajo kujtoi se rreth 70,000 raste të reja në ditë janë regjistruar javën e kaluar dhe tha se ky është një “numër shumë i lartë”.
Në të njëjtën periudhë ka pasur afro 2,000 vdekje në ditë, tha Walensky.
“Ju lutem, më dëgjoni qartë: me këtë nivel të rasteve, me përhapjen e varianteve, ne mund të humbasim plotësisht terrenin e fituar me vështirësi. Këto variante janë një kërcënim shumë real për njerëzit tanë dhe progresin tonë”, tha Walensky.
Janë shumë variante të koronavirusit që qarkullojnë, por ekspertët e shëndetit janë të shqetësuar veçanërisht për disa.
Këto përfshijnë variantet e zbuluara së pari në Mbretërinë e Bashkuar, në Afrikën e Jugut dhe në Brazil, që duket se janë më ngjitëse.
“E kemi aftësinë për të ndaluar një rritje të katërt potenciale të rasteve në vend. Ju lutemi, qëndroni të fortë”, tha Walensky.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja miraton vaksinën e Johnson & JohnsonShtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, mbi 28 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 500,000 kanë humbur jetën.
Deri të hënën, SHBA-ja ka administruar më shumë se 76 milionë doza të vaksinave kundër koronavirusit, tregojnë të dhënat e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.