Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të premten masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tetë të pandehurve me inicialet S.SH., L.S., H.M., B.N. K.Z., A.U., D.A., P.K kurse për dy të tjerë, SH.K. dhe K.B– S, është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Të pandehurit janë arrestuar më 24 shkurt të këtij viti në një aksion të Policisë së Kosovës në disa komuna të Kosovës.
Në mesin e 12 të arrestuarve janë 10 zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, agjenci, e cila funksiononin në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë.
Ata dyshohen për keqpërdorim të subvencioneve, marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Pak kohë pas aksionit një nga të arrestuarit është liruar në procedurë të rregullt.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se këto masa të sigurisë janë masa adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, sepse ekziston rreziku se po të gjendeshin në liri, të njëjtit mund të ikin apo arratisen për t’i ikur përgjegjësisë penale në këtë fazë të procedurës”, thuhet në një komunikatë për media të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Në komunikatë po ashtu thuhet se, “të pandehurit nëse do të jenë në liri mund t’i asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo falsifikojnë provat e veprës penale duke ndikuar tek dëshmitarët aktual dhe ata të mundshëm të prokurorisë”.
Gjatë bastisjeve të policisë, në shtëpitë e personave të arrestuar, sipas Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi, janë sekuestruar deri në 400,000 euro.
Një ditë më vonë, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe nëntë persona në komuna të ndryshme të Kosovës, që lidhen me këtë rast të njohur si “Subvencioni 2021”.
Sipas policisë, “ekzistojnë dyshime të bazuara se personat e dyshuar përmes dhënies së ryshfetit kanë arritur që të marrin subvencione nga Ministria e Bujqësisë”.