Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se deri më tani ka ngrirë rreth 600 mijë euro që lidhen me vjedhjen e rreth 2.1 milionë eurove nga Thesari i Kosovës.
Në një njoftim të Prokurorisë Speciale thuhet se “deri më tani shuma e përgjithshme e ngrirë është rreth 600,000 euro” dhe se “janë sekuestruar 4 automjete vlera e përafërt e të cilave është 100,000 euro”.
SHIKONI EDHE: "Jam i pafajshëm", thotë punëtori i ThesaritProkuroria thotë se janë duke vijuar hetimet për këtë rast dhe se deri më tani janë ngrirë 34 llogari bankare të bizneseve në të cilat ishin transferuar paratë.
Në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, sipas Prokurorisë Speciale janë bërë dy kërkesa adresuar autoriteteve të Turqisë, lidhur me transferin prej 440.000 eurove, të realizuara nga llogaria e “LDA Group Sh.p,k”.
“Është kërkuar ngrirja e llogarisë së identifikuar, është bërë identifikimi i bartësit/pronarit të llogarisë, personat e autorizuar, janë shikuar pasqyrat e transaksioneve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Për këtë rast, dy persona janë në paraburgim si të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit” dhe “Shpëlarja e parave”, lidhur me veprën penale “Pastrimi i parave” për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Më 23 tetor, 2020, i dyshuari për transaksionin e paligjshëm të mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës, Labinot Gruda u deklarua i pafajshëm në gjykatë. Ai tha se ndihet plotësisht i pafajshëm dhe se pretendimet për këtë shumë parash “nuk kanë të bëjnë aspak” me të.
SHIKONI EDHE: Vetëdorëzohet njëri nga personat e përfshirë në transferimin e 2 milionë euroveNë paraburgim për këtë rast është edhe Kadri Shala, që është njëri nga pronarët e kompanisë ‘LDA Group’, kompani në të cilën u transferua një pjesë e parave.
Lajmi për zhdukjen e më shumë se 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, u bë i ditur nga ish-ministrja, Hykmete Bajrami më 20 tetor të vitit të kaluar.