Rritet numri i të infektuarve në Maqedoninë e V.

Një grua me një maskë mbrojtëse ecë para Klinikës Universitare për Sëmundje Infektive në Shkup. 4 shkurt 2021.

Maqedonia e Veriut ditëve të fundit shënon rritje të të infektuarve me COVID-19, duke shkuar në mbi 700 persona të infektuar, pjesa më e madhe e të cilëve është nga Shkupi.

Autoritetet shëndetësore, rritjen e numrit të të infektuarve e lidhin me shfaqjen e variantit britanik të virusit, i cili është më ngjitës.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, për të frenuar përhapjen e koronavirusit, nuk e ka përjashtuar dhe mundësinë e rritjes së masave kufizuese.

Filipçe thotë se rritja e numrit ka të bëjë me përmirësimin e kohës, që ka nxitur më shumë qytetarë që të dalin me shoqëri e në lokale.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se është rritur numri i pacientëve të shtrirë në spitale, megjithëse ka shtuar se ende ka shtretër të lirë.

Liridon Disha, mjek amë, për Radion Evropa e Lirë thotë se autoritetet e vendit duhet vënë theksin në sensibilizimin e opinionit se respektimi i masave në mënyrë të përpiktë është forma e vetme për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

“Meqë jemi në fazë kritike, ku numrat assesi nuk po bien, por kem rritje, duhet pasur kujdes maksimal, e me këtë nënkuptoj respektimin e masave, mbajtjen e distancës, mbajtjen e maskave dhe mosgrumbullimin e njerëzve në hapësirat e mbyllura. E them këtë sepse vaksinimi prolongohet si rrjedhojë mungesës së vaksinave në treg. Kjo edhe më shumë e vështirëson situatën”, thotë Disha.

SHIKONI EDHE: Maqedonia e V. kritikon BE-në për mungesë të ndihmës me vaksina

Maqedonia e Veriut përballet me vështirësi edhe në furnizimit me vaksina.

Aktualisht, po vijon procesi i vaksinimit të punonjësve shëndetësorë me 3.510 vaksinat e marra si donacion nga Serbia.

Ndërkohë që askush me saktësi nuk mund të thotë se kur mund të pritet arritja e vaksinave të rezervuara përmes programit COVAX, marrëveshjes së drejtpërdrejtë me Pfizer-in si dhe vaksinat nga Kina. COVAX, program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka për synim të sigurojë shpërndarjen e vaksinave edhe në vende të varfra.

SHIKONI EDHE: Maqedonia e V. do të blejë 100 mijë vaksina ruse Sputnik V

Maqedonia e Veriut këtë javë ka vendosur që të furnizohet me 100 mijë vaksina ruse kundër koronavirusit, pas vendimit të mëhershëm për blerjen e 200 mijë vaksinave kineze.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se deri më tani përmes ueb-faqes “Vakcinacija.mk” dhe mjekëve amë, janë paraqitur rreth 180 mijë qytetarë për t'u vaksinuar.

Mjeku amë, Liridon Disha thotë se qytetarët duhet të mësohen që të jetojnë me virusin, përkatësisht me respektimin e masave edhe pasi të vaksinohen.

"Mirëpo, imuniteti që fiton organizmi përmes vaksinimit nuk garanton mosinfektimin. Por, garanton mbi 90 për qind që organizmi i infektuar ta kalojë sëmundjen pa simptoma të rënda. Me këtë kuptohet se edhe nëse jeni i vaksinuar, në rast të kontaktit me virusin mund të infektoheni me të edhe pa pasur simptoma ta barni virusin te personat e pavaksinuar. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që t'u përmbahemi masave derisa të fitohet imuniteti kolektiv dhe me këtë t'i jepet fund pandemisë”, thotë ai.

Nga ana tjetër, Zllate Memedoviq, ish-drejtori i Shtëpisë së shëndetit në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse nuk përshpejtohet dinamika e vaksinimit, gjë që se vështirë mund të arrihet pasi mungojnë vaksinat, do të jetë e patjetërsueshme që të shtrëngohen masat.

“Në ato vende të botës ku kemi masa më shtrënguese, duket qartë se numri i të infektuarve shkon në rënie, për dallim nga ata vende që kanë arritur të vaksinojnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, por masat për frenimin e koronavirusit janë më të buta”, thotë Mehmedoviq.

SHIKONI EDHE: Vaksinimi mund ta shpëtojë turizmin në Maqedoninë e V.

Ndryshe, mikrobiologu Nikolla Panovski tha për Radion Evropa e Lirë se masat për frenimin e koronavirusit në Maqedoninë e Veriut janë në përputhje me mundësitë ekonomike të vendit.

“Vendi nuk ka kapacitete që të ndërmarrë masa më të rrepta. Masat aktuale relativisht japin rezultat. Të shpresojmë se do të japin rezultat edhe për llojet e reja të virusit, gjithsesi nëse të njëjtat respektohen në formë të plotë”, thotë Panovski.

Në Maqedoninë e Veriut aktualisht ka 7 mijë e 223 raste aktive të të infektuarve me koronavirus. Nga fillimi i pandemisë, më shumë se 11 mijë qytetarë janë infektuar me këtë virus, prej të cilëve 90 mijë e 300 janë shëruar, ndërkohë që 3 mijë e 98 kanë humbur jetën.