Prokuroria ngre aktakuzë kundër tre personave për dëbimin e shtetasve turq

Ilustrim.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër tre personave, nën dyshimet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe privimit të kundërligjshëm të lirisë”.

Në një komunikatë për media, prokuroria ka dhënë vetëm inicialet e të pandehurve D.G, V.K, dhe Rr.S., por nuk ka saktësuar se për cilin rast bëhet fjalë.

Mediat vendore në Kosovë kanë publikuar emrat e plotë të të pandehurve, duke njoftuar se bëhet fjalë për Driton Gashin, ish-shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Valon Krasniqin, drejtor në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe Rrahman Sylejmanin, drejtor i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë nuk i ka konfirmuar ende emrat e personave të përfshirë në aktakuzë.

Driton Gashi ishte shkarkuar nga detyra e shefit të AKI-së në prill të vitit 2018, nga ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, në mars të po atij viti.

Historiku i dëbimit

Më 29 mars të vitit 2018, përmes një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, në orët e hershme të mëngjesit u arrestuan gjashtë shtetasit turq.

Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Ankaraja dyshon se ata janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen. Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grusht-shtet në Turqi në vitin 2016, kurse institucioni “Gulistan” konsiderohet i tij.

Pas arrestimit ata u dërguan në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, prej ku, duke shfrytëzuar një fluturim privat, u dërguan në Turqi.

Pas mbërritjes atje, u përballën me një proces gjyqësor, ku në fund, u dënuan me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.

SHIKONI EDHE: Kosova hesht, OKB i sugjeron dëmshpërblim për 6 shtetasit e dëbuar turq

Arrestimit dhe dëbimit i parapriu revokimi i lejeve të tyre të qëndrimit për të cilin veprim më vonë gjykata tha se ishte i jashtëligjshëm.

Nga pesë shtetasit turq, tre prej tyre posedonin leje të përhershme të qëndrimit, përkatësisht Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Karhaman Demirez, ndërsa dy prej tyre Hasan Hysein Demir dhe Cihan Ozkan kishin leje të përkohshme.

Familjet e gjashtë shtetasve turq ngritën një padi ndaj institucioneve të Kosovës në vitin 2018 për arrestim dhe ndalim arbitrar të familjarëve të tyre.

Disa nga familjarët kanë kërkuar azil në Kosovë e disa të tjerë janë larguar drejt vendeve evropiane.

Njëri nga të dënuarit në këtë rast është Hasan Gunakan, i cili u arrestua gabimisht në vend të Hasan Demir, por përkundër kësaj, ai u akuzua dhe u shpall fajtor nga një gjykatë në Turqi më 28 janar, 2020.

SHIKONI EDHE: Kosova në mes të Perëndimit dhe Turqisë për Lëvizjen e Gulenit 

Një komision i pavarur i Kuvendit të Kosovës, konstatoi dhjetëra shkelje të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare me rastin e deportimit të shtetasve turq.

Edhe një organ i OKB-së, pas një hetimi, konstatoi se institucionet e Kosovës shkelën të drejtat e shtetaseve turq me rastin e deportimit.