Në Dhomat e Specializuara në Hagë, në konferencën e dytë statusore në rastin ndaj krerëve të Organizatës të Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, pala mbrojtëse propozoi që gjyqi të mos nisë para 30 gushtit, 2021.
Sipas aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj akuzohen për vepra penale “kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.
Gjatë seancës, mbrojtja tha se ka nisur hetimet për çështjen dhe që nga 4 janari ka pranuar mbi 3 mijë faqe materiale.
Mbrojtësi i Gucatit, Jonathan Rees, tha se përveç 3 mijë faqe me materiale janë edhe 100 orë incizime video, të cilat ende nuk i kanë shqyrtuar.
Ai tha se mbrojtja ka nisur të kryejë hetimet që të përgatitet për çështjen dhe tha se do të dorëzojë edhe një dosje paraprake, e cila sipas tij, do të jetë "me vlerë" për gjykatën.
Mbrojtësi i Haradinajt, Toby Cadman po ashtu theksoi se edhe situata me pandeminë po ua vështirëson që të kryejnë hetimet, pasi kanë edhe vështirësi që të udhëtojnë drejt Kosovën për të intervistuar dëshmitarë.
Prokuroria tha se ka ndërmend që ta dorëzojë dosjen paraprake të çështjes, pavarësisht ecurisë së hetimeve të palës mbrojtëse.
Por, mbrojtësit e Gucatit dhe Haradinajt thanë se janë skeptikë nëse Prokuroria do të arrijë ta dorëzojë dosjen paraprake deri më 9 prill.
Dosja paraprake përmban për çdo akuzë një përmbledhje të provave, të cilat Prokurori i Specializuar synon t’i paraqesë në lidhje me kryerjen e veprës penale të pretenduar.
Your browser doesn’t support HTML5
Avokati Reese tha se mbrojtjes do t'i duhen disa muaj, pas datës 9 prill, që ta dorëzojë dosjen e saj paraprake. Ai përmedi 20 korrikun, si datë e mundshme që mbrojtja të dorëzojë dosjen e saj.
Mbrojtja ankohet për nxjerrjen e materialeve
Mbrojtësi i Gucatit, gjatë seancës tha po ashtu se një material prej 4.000 faqesh, që është konfidencial, nuk është nxjerrë në mënyrë e duhur nga prokuroria.
Ankesa për mënyrën e nxjerrjes së materialeve pati edhe avokati i Haradinajt, Toby Cadman.
"Unë shpreh shqetësimet e mia lidhur me mungesën e një dialogu konstruktiv dhe mënyrës shpërfillëse të prokurorisë që ajo ka shfaqur deri më tani", tha ai.
Por, nga organi i akuzës hodhën poshtë këto pretendime të mbrojtjes, duke thënë se kanë përmbushur obligimet e tyre sa i përket nxjerrjes së materialeve.
Mbrojtësi i Gucatit, Jonathan Rees tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk e ka qartësuar nëse ka intervistuar dhjetë dëshmitarët që ka përmendur në konferencën paraprake.
Por, prokurorja Valeria Bolici tha se ka dëshmitarë që Prokuroria ka ndërmend që t'i thërrasë për dëshmi.
Bolici po ashtu deklaroi se nuk qëndrojnë parashtrimet e mbrojtjes se Prokuroria nuk ka dhënë udhëzime për materialet e nxjerra. Ajo argumentoi se të gjitha paketat e nxjerrjes së materialeve përfshijnë përshkrime të hollësishme. Prokurorja po ashtu tha se është miratuar masa mbrojtëse për artikujt e sekuestruar në OVL të UÇK-së.
I akuzuari Nasim Haradinaj ka bërë kërkesë që të mos marrë pjesë në këtë seancë. Ai po ashtu kishte bërë një kërkesë të ngjashme edhe në konferencën paraprake, të mbajtur më 8 janar, në shenjë “proteste për mënyrën se si është trajtuar”, kishte thënë pala mbrojtëse e tij.
Konferenca statusore apo konferenca mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në të, Zyra e Prokurorit të Specializuar tregon se çfarë lloji të provave disponon.
Më 11 dhjetor, 2020, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka konfirmuar aktakuzën ndaj kreut të OVL të UÇK-së, Hysni Gucatit dhe nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinajt.
SHIKONI EDHE: Gjykata Speciale e shqetësuar me "trysninë në rritje" në KosovëVeprat penale, që rëndojnë ndaj Gucatit dhe Haradinajt, sipas Dhomave të Specializuara, dyshohet se janë kryer në periudhën 7-25 shator, 2020.
Sipas aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj “zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tri konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe nëpërmjet shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale".
Gucati dhe Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.
Që të dy janë arrestuar më 25 shtator në Prishtinë dhe që atëherë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.
OVL e UÇK-së në shtatorin e kaluar tha se ka pranuar, në mënyrë anonime, dosje që lidhen me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Përmbajtja e këtyre dosjeve nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike apo jo.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e supozuara të luftës të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.