Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara shprehin gatishmërinë për të punuar me qeverinë e re të Kosovës në rrugën e integrimit evropian.
“Ka ende shumë punë për të bërë, përfshirë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë e fokusuar në njohjen e ndërsjellë, që fuqizon sundimin të ligjit, përballjen me pandeminë dhe nxitjen e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të begatë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në letrën të cilën presidenti Biden i ka dërguar ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17 shkurtit Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Në letër, presidenti Biden thekson se lidhjet mes njerëzve të të dyja vendeve mbeten të fuqishme, bazuar në angazhimin e përbashkët për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës si një vend sovran, i pavarur, multietnik dhe demokratik.
"Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës në këto përpjekje. Ndërkaq për mua personalisht, Kosova vazhdon të mbajë një vend të veçantë për familjen Biden, në shenjë respekti të kohës gjatë së cilës djali ynë i ndjerë Beau Biden punoi për ta siguruar paqen, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës për të gjithë qytetarët e Kosovës", thuhet në letër.
Shtetet e Bashkuara janë ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas të dhënave, që nga viti 1999, Qeveria e SHBA-së ka investuar në Kosovë rreth 2 miliardë dollarë.
Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ato u ndërmjetësuan nga i dërguari i atëhershëm i Trumpit për dialogun, Richard Grenell.
Pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Prishtina dhe Beogradi janë zotuar se do të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve, pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, e përqendruar në njohjen reciproke, do të kërkojë fleksibilitet dhe gatishmëri nga të gjitha palët për të bërë kompromis.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian, ndërsa janë mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.