Pas fitores së madhe në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i tha agjencisë së lajmeve AFP se ai dëshiron t’iu japë formë të re bisedimeve me Serbinë, për t'i vendosur të dyja palët në pozita të barabarta.
Kurti tha se bisedimet nuk duhet të përqendrohen rreth mënyrës se si “të kompensohet” Serbia për humbjen e Kosovës.
“Dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet t’i ndryshojë vendet tona për të mirë”, tha Kurti për AFP-në.
“Ne duhet të diskutojmë me Serbinë sinqerisht, hapur, seriozisht dhe me njerëzit si përfitues përfundimtarë”, shtoi ai.
Kosova dhe Serbia janë të angazhuara në bisedime të drejtpërdrejta për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Kurti tha se do që ta ndryshojë drejtimin e bisedimeve. Ai tha se Beogradi premton njohjen e Kosovës në fund të negociatave, por kërkon koncesione maksimale ndërkohë.
“Ju merrni sa më shumë që mundeni, ndërsa premtoni një fund që nuk do të ndodhë”, tha ai.
“Kjo është arsyeja përse reciprociteti, barazia nuk mund të jetë rezultati përfundimtar (i bisedimeve), duhet të jetë pika fillestare. Dhe, njerëzit duhet të jenë përfituesit përfundimtarë”, tha Kurti.
Në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të së dielës, partia e Kurtit ka fituar rreth 47 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me rreth 17 për qind dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 13 për qind.
Kurti, megjithatë, ka thënë se prioritet i qeverisë së tij nuk do të jenë bisedimet me Serbinë, por drejtësia dhe punësimi.
SHIKONI EDHE: Prelec: Fitorja e Kurtit lë mënjanë dialogun me Serbinë