Adrijana Hoxhiq e dyta më e votuara në mesin e boshnjakëve

Adrijana Hoxhiq.

Adrijana Hoxhiq nga veriu i Mitrovicës, me subjektin e saj “Komuniteti i Bashkuar”, është e dyta më e votuara në mesin e komunitetit boshnjak. Sipas 62 për qind të votave të numëruara. Ajo ka fituar 3.020 vota.

Kjo është hera e parë që Hoxhiq merr pjesë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Aktualisht Hoxhiq është nënkryetare e Komunës së Mitrovicës së Veriut, që udhëhiqet nga Lista Serbe. Në Qeverinë e Ramush Haradinajt, ajo ka qenë ministre e Pushtetit Lokal si dhe ka qenë shefe e Zyrës administrative të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut.

Koalicioni Vakat i udhëhequr nga Rasim Demiri po prin me vota në mesin e boshnjakëve, duke fituar 3.675 vota.

Subjektet e tjera boshnjake, siç është ajo e Emilia Rexhepit, Partia e Re Demokratike, ka fituar 1.543 vota, ndërkaq Unioni Socialdemokrat i Duda Baljes ka fituar 1.356.

Komuniteti boshnjak në Kuvendin e Kosovës i ka tri vende të rezervuara.

Përfaqësuesit nga radhët e komunitetit boshnjak kanë akuzuar se Adriana Hoxhiq, bashkë me një subjekt tjetër nga komuniteti rom, po përpiqen të hyjnë në kuvend, me ndihëm e votave të komunitetit serb dhe se do “të punojnë për interesin e Listës Serbe”, partisë kryesore të komunitetit serb në Kosovë.

SHIKONI EDHE: Lista Serbe në luftë për vota jo vetëm të pakicës serbe 

Vetë Hoxhiq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se nuk ekziston kurrfarë marrëveshje mes saj dhe Listës Serbe.

Ndërkaq, Iniciativa Rome e Gazmend Salijeviq nga Graçanica ka fituar 2.358 vota, duke prirë në zgjedhje në mesin e partive të komunitetit rom.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po publikon në ueb-faqen e saj rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura të dielën.

Në këto zgjedhje morën pjesë 47 për qind e votuesve. Të drejtë vote kishin mbi 1.7 milion qytetarë.

Ndryshe, rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja të veçanta.