Vaksina e AstraZenecas do të testohet te fëmijët

Fotografi nga arkivi.

Një studim i ri do të kryhet për të parë se si vaksina kundër koronavirusit e Universitetit të Oxford-it dhe kompanisë AstraZeneca funksionon te fëmijët.

Rreth 300 vullnetarë do të marrin pjesë në studim, që pritet të nisë në fund të muajit shkurt, transmeton BBC.

Vaksina e AstraZenecas po përdoret në Britani dhe vendet e Bashkimit Evropian, së bashku me vaksinat e Pfizer/BioNTech. Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar që vaksina e AstraZenecas të përdoret. Kjo vaksinë thuhet se ka efikasitet 63.9 për qind ndaj sëmundjes COVID-19.

Në studimin që do të kryhet, 240 fëmijë do ta marrin vaksinën e AstraZenecës, ndërkaq disa të tjerë do të marrin atë për kontrollin e meningjitit.

Në studimet paraprake të kryera nga Oxford-i dhe AstraZeneca, fëmijët nuk kanë qenë të përfshirë.

Andrew Pollard, profesor i infeksionit dhe imunitetit pediatrik, njëherësh kryeinspektor i provave klinike të vaksinës së Oxford-it ka theksuar se shumica e fëmijëve nuk preken nga COVID-19 dhe ka pak gjasa, që ata që preken, të kenë sëmundje të rëndë.

Por, ai tha se është e rëndësishme që të kuptohet siguria dhe përgjigja imunitare nga vaksina te fëmijët dhe adoleshentët, pasi sipas tij, fëmijët po ashtu mund të përfitojnë nga vaksinimi kundër koronavirusit.

SHIKONI EDHE: Çfarë duhet të dini për vaksinën e AstraZenecas, të cilën e pret Kosova?  

Vaksina e AstraZencas aktualisht është miratuar që të përdoret te personat mbi 18 vjeç.

Doza të kësaj vaksine pritet të marrë edhe Kosova, nga programi COVAX i OBSH-së, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave te vendet e varfra.

Nga COVAX-i, Kosova pritet të marrë 100,800 doza të vaksinës së AstraZenecas. Dozat e para, sipas zyrës së OBSH-së në Prishtinë, pritet të arrijnë në gjysmë e shkurtit apo në javën e tretë të shkurtit.