Serbia mund të ketë kapacitete për të prodhuar vaksinën ruse kundër koronavirusit Sputnik V deri në fund të këtij viti, ka thënë ministri serb pa portofol Nenad Popoviq.
Ai i ka bërë këto deklarata të enjten pas një takimi me një grup ekspertësh nga Rusia, të cilët kanë vizituar Beogradin për të analizuar kapacitetet e këtij vendi për të prodhuar vaksinën.
“Për cikël të plotë të prodhimit.. kjo gjë mund të marrë deri në nëntë ose 10 muaj”, u ka thënë Popoviq gazetarëve, duke shtuar se vaksina nuk do të shpërndahet vetëm brenda Serbisë, “por edhe në rajon dhe në gjithë Evropën”.
Më herët gjatë ditës, Popoviq ka thënë se Serbia duhet të blejë pajisjet e nevojshme për të nisur prodhimin e vaksinës Sputnik V.
“Ka mungesa të mëdha të këtyre pajisjeve në botë”, ka thënë ai.
Javën e kaluar, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se shteti që ai udhëheq do të investojë sado që duhet për të nisur prodhimin e brendshëm të vaksinës ruse.
Nën programin shtetëror të vaksinimit, serbët tani mund të vendosin nëse dëshirojnë të vaksinohen me vaksinë të kompanive, Pfizer/BioNTech, atë kineze të kompanisë Sinopharm, apo atë ruse.
Me rreth 8 për qind të popullsisë së vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, Serbia është një prej vendeve me shkallën më të lartë të vaksinimit në botë, duke qëndruar mbrapa, Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.
Këtë javë, Serbia ka pranuar 500,000 doza të vaksinës kineze dhe 50,000 të asaj ruse.