Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se marrëdhëniet midis BE-së dhe Rusisë “janë në udhëkryq”.
Borrell i bëri komentet në një blog të postuar në ueb-faqen e BE-së, pas vizitës që kryediplomati evropian bëri në Moskë.
“Një konferencë shtypi e organizuar në mënyrë agresive dhe dëbimi i tre diplomatëve të BE-së gjatë vizitës sime tregojnë se autoritetet ruse nuk duan ta shfrytëzojnë mundësinë për të pasur një dialog më konstruktiv me BE-në”, tha Borrell.
Gjatë një konference për shtyp me Borrellin, më 5 shkurt, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e quajti BE-në “partner jo të besueshëm”.
Pas pak, Moska njoftoi se diplomatët nga Suedia, Polonia dhe Gjermania janë dëbuar për gjoja pjesëmarrje në një protestë, për të mbështetur politikanin e burgosur të opozitës ruse, Aleksei Navalny.
Të tria qeveritë mohuan se diplomatët e tyre kanë marrë pjesë në protestë.
Përveç rastit Navalny, marrëdhëniet midis Moskës dhe BE-së janë acaruar edhe për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, më 2014, si dhe mbështetjes së vazhdueshme që shteti rus u jep separatistëve që luftojnë forcat qeveritare në lindje të Ukrainës.
Borrell i bëri thirrje BE-së që të “reflektojë me kujdes mbi drejtimin” që, siç tha, “duam t'iu japim marrëdhënieve tona me Rusinë”.
Ai tha se vizita e tij ka konfirmuar se “Evropa dhe Rusia po largohen nga njëra-tjetra”.
Borrell shtoi se hapat e ardhshëm të BE-së mund të përfshijnë sanksione të mëtejshme kundër Moskës.