Irani po vë kushte për zbatimin e marrëveshjes bërthamore me fuqitë perëndimore.
Lideri Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të heqin të gjitha sanksionet, nëse duan që Irani të kthehet në marrëveshjen bërthamore. Njoftimi është bërë nga televizioni shtetëror iranian.
“Pasi të shohim se sanksionet janë hequr, atëherë ne do t'i kthehemi zotimeve tona", ka thënë Khamenei.
SHIKONI EDHE: Sa afër është Irani që të prodhojë bombë bërthamore?Më herët ministri i Jashtëm i Iranit i kërkoi Uashingtonit të veprojë shpejt për t'u kthyer në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
Ai ka thënë se "koha po kalon për amerikanët”, duke e ndërlidhur me zgjedhjet që pritet të mbahen në qershor në Iran.
Parlamenti Iranian miratoi një legjislacion në dhjetor i cili e detyron qeverinë të fuqizojë programin bërthamor, nëse SHBA-ja nuk i lehtëson sanksionet deri më 21 shkurt.
"Ne nuk kemi nevojë të kthehemi në tryezën e negociatave. Amerika është ajo që duhet të gjejë rrugën për të ardhur në tryezë", ka thënë kryediplomati iranian.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore më 2018 dhe filloi rivendosjen e sanksioneve kundër Iranit.
Trump pati thënë se marrëveshja ishte e negociuar keq dhe se ajo i mundësonte Iranit të zhvillojë armë bërthamore.
Si përgjigje, Teherani gradualisht ka shkelur pjesë të paktit. Muajin e kaluar, Teherani rifilloi pasurimin e uraniumit në 20 për qind - një nivel që kishte arritur para marrëveshjes.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja sanksionon rrjetin e iranianëve që kishte vepruar edhe në KosovëAdministrata e presidentit, Joe Biden, po shqyrton mënyrat për t'u kthyer në marrëveshje.
Biden ka thënë se nëse Teherani kthehet në përputhje të plotë me paktin, Uashingtoni do ta pasonte, por Teherani ka thënë se së pari Uashingtoni duhet të lehtësojë sanksionet.