Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden po mban një qëndrim të ashpër ndaj Turqisë për shkak të blerjes së sistemit raketor rus.
Biden nuk e ka ndryshuar qëndrimin e administratës së paraardhësit të tij, Donald Trump për këtë çështje.
"Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar. Ne i bëjmë thirrje Turqisë të mos e mbajë sistemin S-400", tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby. Turqia e bleu sistemin S-400 nga Rusia në vitin 2019.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja sanksionon Turqinë për blerje të armatimit rusKy bashkëpunim u bë pasi Ankaraja nuk arriti të pajtohet me kushtet e Shteteve të Bashkuara për blerjen e sistemit mbrojtës amerikan, të cilin e kanë zgjedhur shumica e vendeve anëtare të NATO-s.
Blerja e sistemit rus tensionoi raportet midis Uashingtonit dhe Ankarasë.
SHBA-ja tha se një bashkëpunim i tillë ushtarak me Moskën nga ana e Turqisë ishte i papranueshëm për NATO-n. Shtetet e Bashkuara paralajmëruan gjithashtu se kjo do të rrezikonte sigurinë e teknologjisë ushtarake dhe personelit amerikan si dhe atë të Turqisë.
Por, Turqia nuk u tërhoq nga vendimi i saj. Si kundërpërgjigje Shtetet e Bashkuara pezulluan pjesëmarrjen e Ankarasë në programin e blerjes së aeroplanëve F-35, por në ndërkohë vazhduan të negociojnë.
Shtetet e Bashkuara u zemëruan edhe më shumë kur në tetor të vitit 2020, Turqia filloi testimin e sistemit raketor rus.
Pentagoni në atë kohë tha se ky veprim rrezikonte të kishte pasoja serioze për marrëdhëniet SHBA-Turqi.
SHIKONI EDHE: Turqia nuk pret sanksione nga Bideni për sistemin rus S-400"Vendimi i tyre për të blerë S-400 është në kundërshtim me angazhimet e Turqisë si një aleat i SHBA dhe NATO. Turqia ka pasur mundësi të shumta gjatë dekadës së fundit për të blerë sistemin e SHBA-së por në vend të kësaj zgjodhi të blinte sistemin rus, i cili i siguron të ardhura dhe ndikim Rusisë", tha Kirby.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan në janar pati thënë se shpreson për arritjen e një kompromisi me presidentin Biden që do të lejonte Ankaranë të riintegrohej në programin e avionëve luftarakë F-35, por kontaktet midis administratës së re amerikane dhe Turqisë kanë qenë të kufizuara.
Që nga marrja e detyrës më 20 janar, Biden nuk ka folur ende me Erdoganin.