SHBA-ja, e shqetësuar nga raportimet për dhunë ndaj ujgurëve në Kinë

Ilustrim.

Shtetet e Bashkuara “janë të shqetësuara thellë” nga raportimet për dhunime sistematike dhe abuzime seksuale të grave në kampet e përqendrimit për ujgurët etnikë dhe myslimanët tjerë në rajonin Ksinjiang të Kinës, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit më 3 shkurt.

“Këto mizori janë tronditëse për ndërgjegjjen dhe duhet të përballen me pasoja”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit përmes postës eletronike për Radion Evropa e Lirë.

Këto komente vijnë pas raportimit të BBC-së një ditë më parë, në të cilin është cituar një grua që ka ikuar nga Ksinjiang.

Ajo ka përmendur gjatë rrëfimit të saj, dhunë, torturë dhe rrahje nëpër kampe.

Departamenti amerikan i Shtetit ka përsëritur akuzat se Kina është duke kryer “krime kundër njerëzimit dhe gjenocid” në Ksinjiang.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje liderëve të Kinës që të lirojnë të gjithë “të ndaluarit në mënyrë arbitrare dhe të shkatërrojnë kampet e përqendrimit”, t’i japin fund torturës dhe të ndalin persekutimin e ujgurëve dhe anëtarëve të grupeve tjera etnike dhe fetare në Ksiniang.

Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Kinës, ka thënë se raporti i BBC-së ka qenë “pa bazë të fakteve” dhe ka thënë se personat e intervistuar “kanë treguar shumë herë” se janë “aktorë të informacionit të rremë”.

Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se të paktën 1 milion ujgurë etnikë dhe myslimanë tjetër në Ksinjiang janë ndaluar në ato që janë përshkruar si “qendra kundër ekstremizmit” në rajon.

OKB-ja po ashtu ka thënë se miliona njerëz tjerë janë dërguar nëpër kampe të internimit, pavarësisht pse Pekini insiston se këto qendra janë “për qëllime edukimi”, dhe synojnë t’iu ndihmojnë njerëzve të qëndrojnë larg terrorizmit dhe të integrohen në shoqëri.

Një grup senatorësh amerikanë, kanë cituar më 2 shkurt trajtimin e ujgurëve, kufizimet e të drejtave të njeriut në Hong Kong dhe kërcënimet kundër Tajvanit, kur kanë prezantur një rezolutë që kërkon largimin e Lojërave Olimpike Dimërore nga Kina më 2022.