Parlamenti arab, që është organi legjislativ i Ligës Arabe, ka dënuar “njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit nga Kosova”. Liga Arabe po ashtu ka dënuar vendimin që Kosova të vendosë ambasadën e saj në Jerusalem, raporton agjencia shtetërore e lajmeve të Jordanit, Petra.
Kjo Ligë i bëri thirrje Kosovës që të heqë dorë nga vendimi i saj “kundërthënës që shkel ligjin ndërkombëtar” dhe kërkoi nga Prishtina zyrtare që t’i përmbahet rezolutave ndërkombëtare mbi Jerusalemin.
Kryetari i Parlamentit arab, Adel Assomi ka theksuar se vendimi i Kosovës për ta njohur Jerusalemin, nuk ka ndikim ligjor në kuptimin se nuk do ta ndryshojë status quo-n historike të qytetit, duke shtuar se fati i Jerusalemit mund të përcaktohet vetëm përmes negociatave dhe jo përmes vendimeve të njëashme, që sipas tij, shkelin ligjin ndërkombëtar.
Your browser doesn’t support HTML5
Ceremonia e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit
Liga Arabe është themeluar më 1945 dhe përbëhet nga 22 shtete anëtare, ku përfshihen Egjipti, Jordani, Kuvajti, Palestina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, e të tjera.
Më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli formalizuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, vendim ky, që nga dy shtetet u cilësua si historik.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja e quan ditë historike vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-IzraelNjohja e Kosovës nga Izraeli është pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit të arritur më 4 shtator, 2020.
Kosova ka thënë se do ta hapë së shpejti ambasadën e saj në Jerusalem dhe ambasadore pritet të jetë Ines Demiri. Ndërkaq, Serbia, që nënshkroi marrëveshjen e 4 shtatorit, po ashtu është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, por Beogradi zyrtar nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret deri më tani.
Bashkimi Evropian e ka cilësuar si “fatkeq” vendimin e Kosovës që ta vendosë ambasadën e saj në Jerusalem, pasi blloku evropian thotë se e konsideron si “të pazgjidhur” statusin e këtij qyteti.