Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur të dielën se shërbimi votues i këtij institucioni është në përmbyllje e sipër të regjistrimit dhe verifikimit të aplikacioneve për votuesit jashtë Kosovës për zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Gjatë ditës së nesërme, e hënë, do të kemi një raport të detajuar se sa është numri i aplikacioneve të cilat janë pranuar deri më 21 janar, sa prej tyre janë aprovuar dhe sa janë refuzuar”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi gjatë një deklarimi për media.
Shtetasit e Kosovës, me të drejtë vote, që gjenden jashtë vendit, kanë mundur të aplikojnë për t’u regjistruar në zgjedhje nga 13 janari deri më 21 janar.
SHIKONI EDHE: Pse diaspora e Kosovës nuk voton në ambasada?Elezi tha se të gjithë ata persona që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, do të mund të votojnë përmes postës duke filluar nga 2 shkurti.
“Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 12 shkurt. Po ashtu, nesër do të kemi edhe të dhëna nga qendra e thirrjeve lidhur me verifikimin e aplikuesve përmes telefonimit të tyre dhe se deri ku ka shkuar ky proces”, tha Elezi.
Your browser doesn’t support HTML5
Këtë vit, KQZ-ja, me qëllim që të verifikojë të dhënat e votuesve jashtë Kosovës, ka thënë se do të kontaktojë tri herë përmes telefonit votuesit jashtë vendit.
Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 shkurt.