Izraeli mund ta tejkalojë krizën me koronavirus, vetëm kur një e treta e popullsisë të vaksinohet, tha një zyrtar të dielën. Ky parashikim do të thotë se Izraelit do t’i duhet më shumë kohë që të krijojë imunitet në mesin e popullatës së saj sesa ishte menduar më herët.
Izraeli është vendi që po kryen vaksinimin e popullatës më së shpejti në botë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu më 19 janar deklaroi se kur të vaksinohet pjesa më e ndjeshme e popullatës apo rreth 24 për qind e 9 milionë banorëve, atëherë do të mund të rihapej ekonomia. Ai kishte parashikuar se rihapja mund të ndodhë në muajin shkurt.
Por, pavarësisht fushatës së gjerë të vaksinimit, deri në mesin e janarit nuk ka pasur ndryshim në situatën epidemiologjike. Pavarësisht se Izraeli është në izolimin e tretë mbarëkombëtar, rastet e reja dhe vdekjet po vazhdojnë të rriten, në mesin e popullsisë që nuk është vaksinuar. Për këtë trend negativ, zyrtarët kanë fajësuar variantet e reja të koronavirusit.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Yoav Kisch ka thënë se “qëllimi ynë është të vaksinojmë 5.5 milionë qytetarë, dhe besoj se atëherë do të shohim ndryshimin”.
“Çdo gjë që kryeministri ka parashikuar do të ndodhë, por me gjasë do të ketë disa javë vonesë”, tha ai për radion publike Kan.
Deri të shtunën, 1.7 milion izraelitë kanë marrë dozën e dytë të vaksinës së prodhuar nga Pfizer dhe BionTech, tha Ministria e Shëndetësisë së Izraelit.
Ndërkaq, 1.3 milion qytetarë kanë marrë dozën e parë dhe presin që t’iu administrohet edhe doza e dytë, tha ministria.
Netanyahu po bëhet gati për rizgjedhje më 23 mars. Ai dëshiron që ta zgjasë masën e izolimit, që mbaron të dielën mbrëma, por po përballet me kundërshti nga partneri i tij i koalicionit, njëherësh rivali politik, ministri i Brendshëm, Benny Gantz.
Fushata e vaksinimit në Izrael nuk përfshin edhe pothuajse 5.2 milionë palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës. Autoritetet lokale atje kanë organizuar ndaras fushatën e tyre të vaksinimit.