Miku i fëmijërisë së presidentit rus, Vladimir Putin dhe njëherësh njëri prej oligarkëve më të pasur rus, Arkady Rotenberg, ka thënë se ai është pronar i vilës luksoze në Detin e Zi, e cila, në një video të publikuar, është përshkruar si ‘pallati për Putinin’.
Rotenberg, i cili ka në bashkëpronësi me vëllanë e tij një kompani të ndërtimit dhe infrastrukturës, për pesë vjet është nën sanksionet e Perëndimit.
Ai këto pretendime se kjo pronë në Detin e Zi i përket atij i bëri në kanalin Mash, në platformën Telegram.
“Tani nuk do të jetë më sekret, unë jam përfitues”, tha Rotenberg. “Ekziston një kompleks i tillë, kishte shumë kreditorë dhe arrita të bëhem përfitues. Kjo është një dhuratë nga Perëndia. Ai është një vend i mrekullueshëm”, tha ai.
Ai tha se pronën e bleu “disa vite më parë”, por nuk dha më shumë detaje. Ai po ashtu nuk dha asnjë dëshmi se kjo pronë i përket atij.
Rotenberg tha se dëshiron ta shndërrojë këtë pronë në një hotel sepse “aty ka një numër të madh dhomash”.
Prona gjendet në rajonin Gelendzhik në Detin e Zi.
Fondacioni anti-korrupsion, i kritikut të Putinit, Aleksei Navalny – i cili gjendet në burg – më 19 janar publikoi hetimin e ri për këtë pronë, që tha se është ndërtuar për Putinin.
Hetimi për ‘pallatin për Putinin’ shfaq një pronë mjaft luksoze që vlerësohet se kushton të paktën 1,35 miliard dollarë.
Ekipi i Navalnyt ka thënë se në këtë kompleks përfshihet një kishë, një serë prej 2,500 metrash katrorë, një amfiteatër, një sërë ndërtesash rezidenciale si dhe një “tunel i posaçëm” që të çon deri në bregdet.
Ndërkaq, vetëm pallati është 17,691 metra katrorë dhe në të ka një teatër, një bar, kazino dhe një pishinë.
Në videon e publikuar nga ekipi i Navalnyt lidhur me hetimin për këtë pronë, thuhej se në ndërtimin e pallatit janë përfshirë miqtë e ngushtë të Putinit dhe se Shërbimi Federal i Sigurisë e ruan atë.